Trajneri i Manchester United, Solskajer, kaloi çdo parashikim në krye të skuadrës angleze. Pas triumfit në Champions, shpresat janë që ai të imitojë ish-trajnerin e madh, Sir Aleks Ferguson.
Ishte fillim gushti i 2008-s kur “Old Trafordi” u nda nga njëri prej heronjve të tij. Ole Gunnar Solskjaer, i mbiquajturi “vrasësi me fytyrë fëmije” i dha fund karrierës në moshën 35-vjeçare, i përcjellë nga plot 69.000 tifozë të United. Sir Aleks Ferguson, legjenda e stolit që e kishte sjellë në Manchester 12 vjet më parë, ishte i emocionuar dhe as nuk e mendonte se ky norvegjez mund të ishte shpresa për të imituar rekordet e tij.
Solskjaeri u largua, ndërsa la pas kujtimin e golave të filluar në 1996, e të përfunduar në 2008, mes të cilëve, më i famshmi ai i finales së Championsit në “Camp Nou”, fituar me përmbysje ndaj Bayern. Njeriu me njeriun takohet, thotë fjala e urtë dhe tifozët e pritën me krahë hapur, kur ai shkeli sërish në “Old Traford”, për të ringjallur një skuadër të vdekur nga Jose Mourinho.
S’ka përse të kujtojmë se çfarë bëri ai që nga 19 Dhjetori i vjetshëm, kur për më pak se dy muaj e gjysmë, ktheu fatin e një sezoni. Dhjetë fitore e asnjë humbje në 12 ndeshje në kampionat, duke u ngjitur në vend të tretë, në zonën Champions. Tri fitore në Kupën e Anglisë, me synim drejt trofeut. Kualifikim për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, me mënyrën më madhështore të mundshme, sukses 3-1 në fushën e Paris SG, pas disfatës 0-2 të duelit të parë.
“Ne tani mund të shkojmë deri në fund të rrugës, – u shpreh Solskjaeri, – padyshim që kemi ëndrrat tona, por gjithsesi, le të presim shortin dhe t’i marrim ndeshjet siç të jenë. Mendoj se e merituam dhe jam i lumtur për lojtarët, por edhe për mësuesin tim, Sir Aleksin që ishte krenar për ne”.
A do t’ia japë më në fund, klubi, kontratën e përhershme?
“Unë vazhdoj të bëj punën time sa më mirë të mundem, nuk më takon mua që të përgjigjem tani për këtë, – tha norvegjezi, – unë jam duke bërë më të mirën. Pak rëndësi ka nëse do të jem apo jo, unë jam një tifoz i Manchester United dhe do ta ndihmoj gjithmonë”.
Festimet pas triumfit ishin të çmendura, por krejtësisht të merituara. Lojtarët, të papërmbajtshëm në dhomën e zhveshjes në “Park de Princes”. Legjendat e vjetra si ish-kapitenët Patrice Evra dhe Eric Cantona, gjithashtu patën emocione të forta, dhe dhanë mesazhe urimi me gjithë zemër, dhe me shpresën e rikthimit tek lavdia. Këtë të sillte ndër mend fotoja e Solskjaerit me Fergusonin dhe Cantonanë, simbolet e gati 40 trofeve me Manchester United.
Shpesh epokat e mëdha nisin siç nuk pritet. A nuk ndodhi kështu me Barcelonën që i besoi një trajneri në atë kohë të dorës së dytë si Guardiola, skuadrën e mbushur me yje, skuadër që Pepi e bëri më të famshmen e botës. Pronarët e United, miliarderët e familjes Glejzër, shpresojnë të kenë qëlluar në shenjë./abcnews.al