Deputetja e Parlamentit të Ukrainës flet nga lufta: Rusia të izolohet nga bota

schedule20:27 - 27 Shkurt, 2022

schedule 20:27 - 27 Shkurt, 2022

Në ditën e katërt të luftës, ukrainasit po vazhdojnë rezistencën në mbrojtje të vendit të tyre nga forcat ruse. Deputetja Solomiia Bobrovska në një intervistë ekskluzive për T7 ka folur për situatën aktuale në Ukrainë, për numrin e saktë të viktimave si dhe për sanksionet që i kanë vendosur SHBA-ja, BE-ja dhe shtetet e tjera ndaj Rusisë.

T7: Fillimisht, a mund të na tregoni si është gjendja aktuale në Ukrainë?

Bobrovska: Situata aktuale është se ata janë duke u përpjekur të hyjnë në Kiev nga anë të ndryshme. Ne patëm një vendim ta bllokojmë rrugën për në kryeqytetin Kiev nga ana perëndimore. Ata tani janë duke u përpjekur të gjejnë mundësinë dhe kohën për të biseduar me Presidentin tonë, dhe para pak minutave morëm vendim që pala ukrainase do të takohet në kufirin Bjellorusi-Ukrainë, afër Lumit Pripyat. Pala ruse dëshiron një marrëveshje, dhe kanë kërkuar nga Presidenti ynë të takohen. Por, nga ana tjetër, Bjellorusia vendosi të dërgojë këtu Forcat Speciale dhe në fakt të merr pjesë në invazionin rus të Ukrainës. Këto janë lajmet nga dy orët e fundit. Dhe, sa i përket takimit, vendimi është nga 10 minutat e fundit.

T7: Cilat rajone i ka marrë tashmë Rusia nën kontroll?

Bobrovska: Ata nuk kanë vendosur flamuj në asnjë qendër të rajoneve, por ata janë duke u përpjekur të lëvizin posaçërisht në jug, në rajonin e Kherson. Vetëm një qytet i vogël është nën flamurin e tyre. Në mëngjes ata janë përpjekur të hyjnë në Kharkiv, që është në lindje, në vijë të frontit, por nuk kanë mundur. Janë shkatërruar. Caku i tyre kryesor është Kiev – të hyjnë në zyrat qeveritare dhe presidenciale.

T7: Vazhdimisht po shohim sanksione të fuqive më të mëdha të botës dhe shteteve tjera ndaj shtetit rus. Sa jeni të kënaqur me ndihmën që i është dhënë Ukrainës nga shtetet tjera?

Bobrovska: Ne ende jemi duke e pritur vendimin përfundimtar për ndërprerjen e sistemit SWIFT. Ende jemi duke kërkuar për zonën e ndaluar të fluturimit mbi Ukrainë. Por, vlerësojmë sinqerisht vendet si Polonia dhe shtetet baltike, të cilat kanë vendosur t’u japin ndihmë forcave tona ushtaratke, dhe jemi duke e marrur këtë ndihmë në kufi po tani.

T7: Nëpër media vazhdimisht po qarkullojnë shifra të ndryshme për numrin e viktimave në të dyja anët. A keni ndonjë raport më të saktë për numrin e vdekjeve? A ka shumë civilë të vrarë?

Bobrovska: Nuk kemi informatat e fundit për këto ditë, por kemi sasi të përafërt të dëmeve të forcave ruse, dhe jemi duke folur për më shumë se 4,000 oficerë ushtarakë, dhe shumë tanke dhe pajisje të shkatërruara. Sa u përket civilëve, janë duke u përpjekur të shmangin të shtënat ndaj civilëve. Por çka kishim dje ishte granatim të ndërtesave civile. Nuk mund ta them numrin e fundit të vdekjeve, por mund ta komentojmë më vonë.

T7: Si e shihni ju epilogun e kësaj lufte?

Bobrovska: Dua të jem optimiste, por është shumë e vështirë. Ne po e shohim që Putin është duke i përdorur të gjitha masat dhe mundësitë për ta detyruar Kiev, për të na shtyer, t’i pranojmë pikat e tyre që janë demilitarizimi i Ukrainës, jo status të NATOs, të njohim Krimenë si pjesë të Federatës Ruse. Këto kërkesa janë të papërshtatshme. Nuk mund të them cili do të jetë fundi sepse situata është duke ndryshuar shumë shpejt. Pra, është e pamundur të komentoj tani.

T7: Për fund, cili është mesazhi juaj në këto kohë të rënda për shtetin tuaj dhe gjithë botën?

Bobrovska: Mesazhi im është të bllokohet Federata Ruse dhe të izolohet nga bota, të ndalohen vizat për shtetasit e Federatës Ruse, të kërkojmë nga aleatët tanë të vendosin ndalimin e fluturimit mbi Ukrainë, dhe të ndalojnë sistemin SWIFT. Ata duhet të ndiejnë me dhimbje se po humabsin më shumë se sa që do ta marrin Ukrainën.

T7: Faleminderit shumë për kohën e ndarë! Uroj që sa më shpejt të jetoni në paqe!

Bobrovska: Falemnderit për mbështetjen e juaj, Kosovë! /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!