Ish-presidenti i Republikës dhe kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Byro Politike”. I pyetur nëse kishte dijeni përpara se Lulzim Basha të njoftonte se opozita do digjte mandatet, ish-kreu i shtetit tha para vendimit ka pasur një proces konsultimesh.
Mimoza Koçiu: Ju e dinit që Basha do të dorëzonte mandatet apo e mësuat si të gjithë të tjerët kur e shpalli.
Bujar Nishani: Ka pasur një proces bisedash dhe konsultimesh. Unë nuk e di kur ka qenë radha ime se kush e ka ditur më parë, apo jo. Ka qenë një proces diskutimi i kryetarit me paketën dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ndër të tjera, në studio përballë gazetares Mimoza Koçiu dhe analistit Arian Curi, kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së tha se qytetarët duhet ta shikojnë situatën politike si ndërpartiake. Nëse kjo nuk ndalet së shpejti sipas Nishanit atëherë pasojat do të shfaqen në 20 vitet e ardhshme.
“Unë mendoj që çdo qytetar duhet ta shikojë situatën si ndërpartiake. Jemi në situatë e cila nëse nuk ndalet shpejt, do fillojë ta japë impaktin e vet të fatalitetit, në 20 vitet e ardhshme. Po rrezikojmë një zhbërje, të këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Kemi 4-5 vite që ka hemorragji masive të resurseve njerëzore. Për shumë arsye. Nga njëri ekstrem te tjetri. Unë e kuptoj pse ka hemorragji njerëzore nga Afrika, Siri, Lindja e Mesme, por që të kishim këtë hemorragji të rikthyer, unë mendoj që sot është një përgjegjësi e madhe dhe është një shoqëri që ka hyrë në ngecje. Zotëria që është kryeministër, nuk lëviz, sepse nëse lëviz duhet të marrë përgjegjësinë si autori kryesor i kësaj katandisje. Kemi një kolaps të tërë shoqëror, social, tani dhe institucional”, tha Nishani./abcnews.al