Eksperti: Perëndimi ka shansin të ndalojë luftën, roli i SWIFT dhe plani i Putin me qeveri kukull

schedule21:50 - 25 Shkurt, 2022

schedule 21:50 - 25 Shkurt, 2022

Në ditën e dytë të pushtimit rus në Ukrainë, forcat ushtarake të Putinit janë rreth 20 milje larg kryeqyteti Kiev. Por artileria e rëndë ruse ka goditur Kievin të paktën 5 herë. Kryeqyteti ukrainas ka lëshuar alarmin mëngjesin e sotëm, pas rinisjes se sulmeve me raketa rreth orës 04.00, sipas orës lokale, ndërsa situata sa vjen dhe bëhet më e vështirë, pavarësisht se flitet për një dialog mes palëve.

Eksperti i çështjeve të sigurisë Adrian Shtuni i ftuar në Radarin Informativ në Abc ka deklaruar se Ukraina nuk është e braktisur nga perëndimi por theksoi se nëse do të kishte sanksione edhe më të forta do të mund ta frenonin presidentin Vladimir Putin.

Është situatë e kuptueshme që Zelenski të bëjë komunikime të tilla. Unë nuk mendoj se perëndimi e ka braktisur Zelenskin. Kemi fushatën e sanksioneve, ndoshta më shumë mund të ishte bërë por abandonimi është fjalë e madhe. Sanksionet do të ushtrojnë presion. Duhet që Ukrainës ti jepet mundësia të mbrojnë vendin e tyre. Rusia i ka pushtuar ata. Sanksionet po ti shikojmë historikisht kemi vende që kanë vazhduar të jenë në sanksione për një kohë të gjatë. Sanksioni si fjalë mund të duket shumë por varet se për çfarë lloj sanksionesh jemi duke folur. Sanksionet e ditëve të fundit janë ato që jemi duke folur”, tha ai.

SHBA ka paralajmëruar në vazhdim përjashtimin e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar SWIFT, që mundëson transferimin e fondeve ndërmjet bankave në mbarë globin, apo ndaj sektorit energjetik rus. Shtuni tha se nëse merret një vendim i tillë do e kufizonte Rusinë për të qenë aktive në luftë. Duke i vënë sanksione të forta, ai tha se kostoja i bëhet mjaft e madhe dhe Rusia do e ketë të papërballueshme për të vijuar luftën.

“Nëse një vend nuk lejohet të përdorë sistemi swift nuk lejohet të përdorë sistemin ndërkombëtar të pagesave. Do ketë impakt të qenësishëm mbi çdo gjë duke përfshirë dhe kapacitetin e Rusisë për të vazhduar për të qenë agresive.  Nëse e shikojmë situatën në Ukrainë megjithëse duket sikur është një numër i madh dhe po mundohet të luftojë nuk janë të mjaftueshme për ta mbajtur një vend kaq të madh. Rusia ushtarakisht nuk është aq e fuqishme sa Bashkimi  Sovjetik. Duke i vënë sanksione kostoja i bëhet mjaft e madhe dhe e papërballueshme për të qenë aktive në luftë”.

I pyetur nëse duhet t’i druhemi një lufte të 3-të botërore, ai u shpreh se Putin është i paparashikueshëm.

“Të gjithë i druhemi luftës qoftë luftë normale qoftë luftë e 3 botërore, do ishte katastrofë për të gjithë. Askush s’do dilte i fituar. Duhet të ishin vendosur sanksione më të forta dhe duhet pasur ndërhyrje më e fortë, por Putin është i paparashikueshëm. Ai e ka kthyer në normalitet dhunimin territorial të sovraniteti të vendeve të tjera”.

Duke analizuar veprimet e Putin deri më tani ai ka bërë dhe një parashikim të situatës në vazhdim. Eksperti thotë se synimi i Putin është që të vendosë një qeveri kukull në Ukrainë dhe më pas të nënshkruajë një “traktat paqeje”.

“Jemi në një situatë të paparashikueshme sepse Putin e shikon veten si car dhe nuk merr orientime arbitrare.Duke parë teatrin e luftën në Ukrainë duket se po mundohet të arrijë në Kiev të marrë Kievin të instalojë një qeveri kukull aty dhe kam përshtypjen se më pas do nënshkruajë një traktat paqeje me qeverinë kukull. Për ta mbajtur më pas në orbitën e Rusisë që të mos i afrohet perëndimit e Natos. Duket se do të bëjë diçka të tillë që mund të rezultojë në ndarjen në dy pjesë të Ukrainës”.

/abcnews.al