Nga Lushnja kreu i PD Lulzim Basha ka hedhur sërish akuza ndaj qeverisë për aferën e inceneratorëve. Sipas tij “vjedhja e shekullit me 430 milionë euro u faktua”, ndërsa i bëri thirrje SPAK që të çojë para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me taksat e qytetarëve duke u përfshirë në aferën e inceneratorëve.
“430 milionë euro vjedhja e shekullit u faktua. Tani është në dorë të SPAK të justifikojë besimin e shqiptarëve duke çuar para drejtësisë nga bishti te koka të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve. Kurse për 6 marsin është në dorën tuaj. Nuk bëhen dot mrekulli në një vit por do jetë viti i anti-korrupsionit nga një jurist Indrit Sefa”, tha Basha.
Lexo edhe: “PS ka dështuar”, Basha nga Lushnja: Është koha e një modeli të ri politik me Indrit Sefën
Basha kërkoi që lushnjarët me 6 mars të votojnë Indrit Sefën për t’i dhënë “fund modelit Rama”.
“Ndërsa në dorën tuaj është t’i jepni fund modelit Rama të korrupsionit me 6 mars. Le t’i japim Lushnjes një model të anti-korrupsionit përmes një avokati kundër korrupsionit si Indrit Sefa. Gjëja e parë që i duhet Lushnja është dhembshuria e qytetarit të parë për fermerët. I kam takuar e i kam parë se si janë zbehur e lodhur në 8 vite vuajtje, të mallkuar nga keqqeverisja e 8 viteve. Indrit Sefa nuk do të shijojë ngjyrat partiake por vetëm interesat e qytetit dhe fermerëve. Ky është Indit Sefa, bashkëpunëtorët që e kam pasur në krah në beteja jo të lehta.Ta nisim rrugëtimin tonë për një model të ri, kulturës së re politike, një PD të rinisë nga Lushnja”, shtoi Basha.
/abcnews.al