Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka ndryshuar masën e sigurisë për Lefter Kokën. GJKKO ka vendosur sërish “arrest me burg”. Ish-ministri i Mjedisit do të vijojë kështu të qëndrojë në qelinë e paraburgimit.
Lefter Koka u arrestua disa javë më parë me urdhër të SPAK. Ish-ministri është nën hetim për aferën e inceneratorit të Elbasanit, ku dyshohet se ka përfituar ryshfet në vlerën 3.7 milion euro.
57-vjeçari që ishte ministër i Mjedisit nga viti 2013 deri në 2017 në mandatin e parë të qeverisë Rama gjatë koalicionit me LSI-në, ka qenë më herë deputet dhe kryetar i bashkisë së Durrësit.
Muajin e kaluar ai shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua për mjekim në spitalin e burgut. Sakaq, në kërkim për aferë e inceneratorëve janë tre pronarët, Klodian Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. g.v/abcnews.al