Mançester Junajtid kërkon përmbysje të madhe në fushën e Paris Sg në Champions

schedule14:51 - 6 Mars, 2019

schedule 14:51 - 6 Mars, 2019

Mançester Junajtid do të kërkojë të shkaktojë një të papritur të madhe në Champions. Skuadra angleze luan sot në fushën e Paris Sen Zhermenit, dhe ka besim ndonëse ndeshjen e parë e ka humbur 0-2.

Si mundet që të realizohet përsëri një përmbysje e tillë? Mançester Junajtid do të ndodhet sonte ndaj Paris SG, në të njëjtën pozitë si në finalen e Championsit ndaj Bajernit 20 vjet më parë, kur ktheu rezultatin dhe fitoi.

Skuadra angleze e ka njërin nga protagonistët, autori i golit të dytë Ole Gunar Solskjer, është sot trajneri i saj, por ja ku vjen edhe i dyti.

Ish-trajneri Sër Aleks Ferguson u bashkua me ekipin në udhëtimin e tij drejt Parisit, në përpjekje për të ringjallur frymën e vitit 1999.

Le ta themi që në fillim se nuk do të jetë e lehtë, dhe jo vetëm nga rezultati 0-2 I sfidës së parë në “Old Traford”.

Anglezët janë në Francë pa plot 10 lojtarë.

Pol Pogba është i pezulluar, dhe Marsial, Aleksis Sançez, Matiç, Lingard, Mata, Herrera, Valensia, Xhons dhe Darmian janë të dëmtuar.

Gjithsesi, Solskjer foli pa asnjë fije dyshimi në prag të duelit të sotëm të orës 21:00.

“Asnjë mision nuk është i pamundur, – tha norvegjezi, – ne ia kemi dalë shumë herë në historinë tonë, edhe këtë sezon kemi mundur Çelsin, Totenhemin apo Arsenalin. Në Europë, e kanë bërë Juventusi me Realin apo Barcelona me Paris SG. Është një detyrë e vështirë, por mund t’ia dalim”.

Gjithsesi, po këtë besim kanë edhe kundërshtarët, dhe si mos ta kenë.

Suksesi 2-0 në Angli nuk ishte rastësor, dhe parizienët besojnë se më në fund kanë jo vetëm talentin, por edhe përvojën e duhur për ta tentuar Championsin.

Nejmar e Kavani do të mungojnë përsëri, veçse fitoret po arrihen prej kohësh pa ata, nën udhëheqjen e yllit të ri, Kilian Mbape.

Shpresat e kryeqytetit të Francës janë pikërisht tek 20-vjeçari kampion i botës, por edhe tek personaliteti i të tjerëve si Bufon, Tiago Silva, Di Maria, apo Verrati.

Trajneri Tomas Tuhel flet duke bërë kujdes.

“Përpara nesh është një sfidë e madhe, – tha gjermani, – Junajtid është një skuadër e fortë, dhe Solskjer është një profesionist I madh, siç ishte si futbollist. Realiteti është ky dhe ne duhet të jemi të përgatitur. Kemi hedhur hapin e parë, por tani duhet ta përfundojmë punën siç duhet”.

Parashikimet janë që të gjitha në favor të vendasve për t’u kualifikuar për në çerekfinale, ndonëse suksesi në futboll nuk arrihet nga ato që thuhen përpara vërshëllimës së gjyqtarit, por nga ajo që ndodh në fushë. /abcnews.al