Shtëpia e Bardhë sapo ka njoftuar sanksione ndaj prodhuesve të gazsjellësit Nord Stream 2 që lidh Rusinë dhe Gjermaninë.
“Sot, kam urdhëruar administratën time që të vendosë sanksione ndaj Nord Stream 2 AG dhe oficerëve të saj të korporatës”, tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë.
“Këto hapa janë një pjesë tjetër e këstit tonë fillestar të sanksioneve në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.”
Projekti prej 10 miliardë eurosh (8.4 miliardë £) u përfundua shtatorin e kaluar.
Lexo edhe: Lufta në Ukrainë pritet të rrisë çmimet e karburantit
Sanksionet ndaj gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 vijnë një ditë pasi SHBA-ja vendosi pakon e parë të sanksioneve, në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
“Siç e kam bërë të qartë, ne nuk do të hezitojmë që të ndërmarrim hapa të mëtejmë nëse Rusia vazhdon ta përshkallëzojë” krizën, tha presidenti Biden.
Çfarë është gazsjellësi “Nord Stream 2”, për të cilin po flitet kaq shumë ditët e fundit?
Nord Stream 2 është një tubacion me gjatësi 1200 km nën Detin Baltik, i cili do të çojë gazin nga bregu rus pranë Shën Petersburgut në Lubmin në Gjermani.
Projekti i gazsjellësit nuk është hapur ende, ndërsa certifikimi u ndërpre dje nga qeveria gjermane, si pjesë e paketës së sanksioneve të BE-së kundër Rusisë pas njohjes së Dondasit nga Putin si zonë e “pavarur”, shkruan BBC.
Nord Stream 2 shkon paralelisht me një gazsjellës ekzistues, Nord Stream, i cili funksionon që nga viti 2011.
Së bashku, këto dy tubacione mund të dërgojnë 110 miliardë metra kub gaz në Evropë çdo vit. Kjo është më shumë se një e katërta e gjithë gazit që vendet e Bashkimit Evropian përdorin çdo vit.
Lexo edhe: Sondazhi: Shumica e amerikanëve kundërshtojnë një rol kryesor të SHBA-ve në konfliktin Rusi-Ukrainë
SHBA dhe Britania e Madhe, së bashku me fqinjët e Rusisë, Poloninë dhe Ukrainën, e kundërshtojnë fuqishëm Nord Stream 2.Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka quajtur Nord Stream 2 “një armë të rrezikshme politike”.
Ndërkohë Vladimir Putin ka urdhëruar trupat ruse në Ukrainën lindore, pasi ka njohur dy rajone të kontrolluara nga rebelët si shtete të pavarura. Teksa Rusia është pozicionuar në terren, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane ka thënë se Putini është plotësisht i përgatitur për një pushtim në shkallë të gjerë, i cili mund të ndodhë në çdo moment.
“Ai është aq i gatshëm. Ne kemi thënë çdo ditë tani dhe sigurisht që është e mundur që sot të jetë ajo ditë”, thotë zyrtari.
Kur u pyet për trupat ruse që rrethojnë Ukrainën, zyrtari thotë se ato janë “gati për të shkuar”.
Përafërsisht 80% e forcave ruse janë pozicionuar që do të thotë se janë gati të pushtojnë nëse jepen urdhra, sipas vlerësimit të fundit të SHBA. Të hënën, rreth 40 deri në 50% e trupave thuhej se ishin në atë pozicion.
Ata janë të pajisur me gjithçka, nga tanket dhe artileria deri te fuqia ajrore dhe mbështetja detare./abcnews.al/