Në Gjykatën Speciale vijon të zhvillohet seanca e radhës në lidhje me rastin e krerëve të UÇK-së. Sipas mediave në Kosovë këtë të martë po zhvillohet një seancë dëgjimore në lidhje me intervistimin e dëshmitarëve.
Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se mbrojtjes duhet t’i lejohet qasje pa kufizime tek intervistimi i dëshmitarve, pasi që në situatën aktuale dhe me masat mbrojtëse të propozuara nga Prokuroria, nuk ka baraza të palëve.
“Nuk ka barazi të palëve. Flasim për një gjykatë që është e Kosovës dhe dispozitat që duhet të ndiqen. Kjo është shumë e qartë në kuadrin e kësaj gjykate. Procesi gjyqësor kërkon që mbrojtja të përfshihet në të gjithë gamën e shërbimeve. Pra mbrojtja duhet të sigurojë pa kufizime mbrojtjen e një personi, mbrojtjen e provave, përgatitjen për marrjen në pyetje. Gjykata Evropiane për të Drejtat e njeriut thotë se marrja në pyetje duhet bërë pa kufizime, ndërkaq që ndryshe vepron Prokuroria e Specializuar”, tha Keohe.
Ndër të tjera ai ka pohuar se 157 dëshmitarë të ZPS-së kanë masa mbrojtëse.
“Dëshmitarët në listën e dëshmitarëve nuk janë dëshmitarë në listën e ZPS-së. Pikë. Janë dëshmitarë, që duhen marrë në pyetje nga të gjitha palët. Kjo është një shtesë paligjshmërie. Kemi 326 dëshmitarë, pothuajse 50% kanë masa mbrojtëse. Pra 157 dëshmitarë nga 326 kanë masa të tilla”, tha ai.
Sipas tij absurditeti qëndron se ZPS ka kërkuar masa mbrojtëse edhe për zyrtarë qeveritarë, ndërkombëtarë, si dhe oficerë ushtarakë./abcnews.al