FSHF kërcënon me ndërprerje të sezonit nëse policia nuk kthehet në stadiume

schedule13:29 - 4 Mars, 2019

schedule 13:29 - 4 Mars, 2019

Federata Shqiptare e Futbollit kërcënon me ndërprerje të kampionatit nëse Policia e Shtetit nuk kthehet në stadiume. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Shulku, po ashtu kërkoi dënim të autorëve të dhunës.

Besojnë se koha e paralajmërimeve ka marrë fund. Federata Shqiptare e Futbollit mendon se është momenti për veprime konkrete, kur vjen puna tek prania ose jo e Policisë së Shtetit në stadiume, sidomos pas dhunës që ndodhi ndaj gjyqtarit në Kamzë.

Sekretari i Përgjithshëm i saj, Ilir Shulku, e deklaroi shkoqur.

“Pa policinë e shtetit ne ee shohim të pamundur vazhdimin e aktivitetit. Nëse situat vazhdon e tillë atëherë do shikohet vazhdimi apo ndërprerja e kampionatit”.

Shqetësimi tjetër i Federatës është që nuk ka dënime pas dhunës.

“Në ndeshjen hapëse Skënderbeu-Partizani, pas incidenteve të rënda FSHF kërkoi procedimin për shkaktarët rezultati zero, ansjë i dënuar. Në ndeshjen Tirana Kukësi, shumë tifozë kaluan rrethimin dhe sulmuan lojtarët e Tiranës. Ata janë evidentuar me pamje filmike, asnjë i dënuar. Në ndeshjen Partizani-Flamurtari tifozët hynë në fushë duke sulmuar dhe përsëri asnjë i dënuar”.

Shulku mbron punën e komisioneve në Federatë, ndonëse ai vetë pranon se rasti i ndeshjes Partizani-Flamurtari ishte i rëndë, ndërsa dënimi ishte vetëm një gjobë.

Dhunë ndaj arbitrave ka ndodhur edhe në të kaluarën, siç ishte rasti i ndeshjes Përmeti-Këlcyra në dhjetor 2017, apo në Laçi-Kastrioti në dhjetor 2011. /abcnews.al