Procesi i Berlinit do të intensifikohet nga qeveria Scholz .Premtimi është marrë nga zyrtarët gjermanë gjatë vizitës së sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialiste Damian Gjiknuri në këtë vend.
Delegacioni shqiptar u prit në Bundestag nga tre drejtues të rëndësishëm të Grupit Parlamentar Socialdemokrat të cilët konfirmuan se Gjermania do të ketë rol kyç në udhëheqjen e këtij procesi për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Pjesë e diskutimeve ka qenë edhe Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbështetja e fortë e Gjermanisë.
“Pata rastin të diskutoj, sidomos në Komisionin e Bundestagut që mbulon çështjet e Europës Juglindore, dhe të elaboroj më thellë procesin e Ballkanit të Hapur’; interesin që treguan përfaqësues të Bundestagut në lidhje me këtë proces; si edhe mora garancinë se shumë shpejt do të ketë një fazë të re të procesit të Berlinit.
Mbase mund të ketë një emër tjetër, por e rëndësishme është se Gjermania do të ketë rol kyç në udhëheqjen e këtij procesi për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Mendoj se është momenti i duhur me qeverinë e re gjermane, e cila e ka vënë në marrëveshjen e koalicionit, integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Procesi i zgjerimit është komplet natyral”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, shoqëruar nga Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Romina Kuko dhe nënkryetari i Grupit Parlamentar Toni Gogu zhvilluan një vizitë zyrtare dy ditore në Berlin.
Një pikë tjetër e rëndësishme e delegacionit shqiptar ishte edhe përgatitja e vizitës së Kryeministrit Rama në Berlin dhe takimi i tij me kancelarin Scholz dhe me udhëheqësit e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë. /abcnews.al