Me 50 vite burg janë dënuar Faik dhe Shkëlzen Buci të akuzuar për vrasjen e Eglantina Bucit 10 vite më parë. Përkatësisht, dënimi është dhënë me 25 vite burg për babanë e Eglantinës, Faikun dhe 25 të tjera për të vëllanë Shkëlzenin për veprën penale vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim.
Eglantina Buci u ekzekutua nga vëllai i saj 10 vite më parë në malin me Gropa në Tiranë. Familja nuk e pranonte faktin që vajza ishte larguar nga shtëpia dhe bashkëjetonte në zonën e Freskut.
Përballë kësaj situate, babai Faik Buci thuri planin, ndërsa djali Shkëlzen Buci e ekzekutoi motrën e tij. Krimi makabër u zbulua nga një bashkëpunëtor i drejtësisë, shok i Shkëlzen Bucit, që kishte qenë i pranishëm në momentin kur vëllai vrau motrën.
Bashkëpunëtori i drejtësisë ka rrëfyer përpara grupit të hetimit të gjithë situatën me detaje se si ka nisur situata kur 23-vjeçarja Englantina Buci u mor me dhunë nga i vëllai dhe më pas u vra. I penduari i ka thënë grupit të hetimit që shikonte makthe dhe se nuk mund ta mbante më këtë barrë mbi supe pasi kishte edhe familje.
Ai u arrestua në korrik të vitit 2017 me akuzën e bashkëpunëtorit, pasi Shkëlzen Buci i kishte kërkuar që të ruante duke monitoruar lëvizjet e aktorit. Por në momentin e arrestimit ai kishte një kërkesë për drejtësinë.
“Unë nuk do të jap shpjegime në këto momente, kërkoj nga organi i akuzës të më vendosë në dispozicion një kopje të akteve të hetimit konform rregullave ligjore pasi të njihem me këto materiale jam në dispozicion të jap shpjegime” tha ai në korrik 2017 kur u arrestua.
6 muaj më pas në janar të vitit 2018, ai tregoi vrasjen e Eglantina Bucit nga vëllai në bashkëpunim me të atin në vitin 2012 në Malin me Gropa. (Lexo këtu dëshminë e plotë). Për zbardhjen e kësaj ngjarje, ai mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. /abcnews.al