Stroke ose goditja në tru është një sëmundje që ka të bëjë me dëmtimin e enëve të gjakut. Ka pasoja neurologjike dhe mund të çojë në fatalitet. Stroke janë dy llojesh: ishemik që shkaktohet nga bllokimi i enëve të gjakut dhe përbën 80 përqind të rasteve si dhe hemorragjik që nënkupton një çarje të enës së gjakut dhe dëmtimin e zonave të trurit ka ndodhur gjakderdhja.
Doktoresha Vojsava Leka, neurologe pranë Spitalit Amerikan 3, ishte e ftuar në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku foli për simptomat dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje. Dr. Leka theksoi se goditja në tru ndodh në mënyrë të menjëhershme dhe ndër simptomat janë asimetri e fytyrës, çrregullim në të folur problemet me shikimin, rëndimi apo pamundësia për të komanduar anësitë dhe ekuilibri.
Në rastin e strokut hemoragjik, duhet marrë në konsideratë dhimbja e kokës që fillon në mënyrë të menjëhershme që shpesh pacientët e referojnë si të papërjetuar më parë. Dr. Leka theksoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme njohja e shenjave të para të goditjes në tru, pasi mund të shpëtojnë jetën e personit të prekur.
“Faktorët e rrezikut ndahen në dy kategori: Faktorë të modifikueshëm dhe të pamodifikueshëm. Te të parët përmendim hipertensionin arterial, problemet kardivaskulare, diabeti, duhanpirja, alkooli, jeta sedentare, problemet kronike të veshkave, abuzimi me drogërat. Dhe terapitë hormonale dhe estrogjeni në doza të caktuara janë faktor. Faktorët e pamodifikueshëm janë mosha, gjinia dhe gjenetika që nënkupton një histori familjare për stroke, rrit rrezikun që pacienti të ketë stroke në të ardhmen.”, tha Dr. Leka.
Ajo theksoi se është e nevojshme që pacienti duhet t’i drejtohet menjëherë mjekut nëse shfaq ndonjë simptomë pasi ndërhyrja në momentin e duhur mund të ulë rrezikun për invadilitet dhe vdekshmëri. Sipas saj, kjo sëmundje nuk prek vetëm moshat mbi 50 vjeç por dhe të rinjtë. Mjekja u ndal gjithashtu dhe te Stroke Unit, qendrën e specializuar për goditjet në tru në Spitalin Amerikan 3.
“Stroku nuk përjashton asnjë moshë. Moshat e avancuara rrisin rrezikun për stroke. Risku rritet mbi moshën 50 vjeç dhe për çdo 10 vjeçar dyfishohet. Ka dhe mosha të reja dhe fëmijë që mund të pësojnë goditje celebrovaskulare. Faktorët e rrezikut ndryshojnë sipas moshave. Moshat e reja janë sëmundjet kardiake apo problemet gjenetike. Kemi dhe mosha të reja dhe janë nënshtruar trajtimeve për rivendosjen e fluksit të gjakut.
Mund të luajë një rol dhe stili i jetesës pasi çrregullimet e ritmit të zemrës, problemet kardivaskulare, abuzimi me substanca të ndryshme, përdorimi i medikamenteve të caktuara por ka dhe një etnitet stroku që konsiderohet si idiopatik që nuk është gjetur shkaku. Në Spitalin Amerikan 3 është ngritur një strok unit, një grup i koordinuar në mënyrë efikase për trajtimin e kësaj kategorie pacientësh.
Si në botë, ashtu dhe në spitalin tonë realizohen të gjitha procedurat dhe metodat për trajtimin duke filluar nga tromboliza intravenoze, e cila është më efikase për trombozat e enëve të vogla të gjakut. Ndërsa në rastet e bllokimit të enëve të mëdha, bëhet trombektomia mekanike. Pra bëhet heqja mekanike e trombit dhe minimizohet dëmtimi i mëtejshëm i trurit.”, tha dr Leka./abcnews.al