Një investim i madh është duke u bërë për rrugën që lidh Karbunarën me Lushnjën, por banorët thonë se në këtë periudhë po vuajnë pasoja. Nga ana e saj, Bashkia e Lushnjës thotë se ky është nga ato projektet që do realizojë rrugën më të bukur.
Punimet këtu nisën pas 32 vitesh. Është segmenti Karbunarë-Ish-Uzina Plasmasit në Lushnjë. Për banorët duhet të ishte zgjidhje, por thonë se problemet u janë shtuar. Aksidentet me pasoja të rënda janë të dukshme. Lapidarë janë ngritur buzë rrugës.
Biznese dhe banesa janë ngjitur me asfaltin. Pluhuri dhe zhurmat e automjeteve, janë pjesë e së përditshmes. Sikur të mos mjaftonte rritja e parametrave ndotës në ajër, karbunarasit ankohen për zbatimin e projektit.
Zërat kundër ndryshimeve në projekt, kundërshtohen nga bashkia, e cila ka dhënë mbështetje FSHZH për investimin. Sipas drejtorit të shërbimeve, punimet do të kryhen sipas standardeve të kërkuara, duke e bërë këtë rrugë ndër më të bukurat e qytetit.
Ergest Krakulli, drejtor i Shërbimeve në Bashkinë Lushnje: Bashkia Lushnje nuk ka autoritetin e ndryshimit të një projekti, i cili është miratuar nga bashkia dhe e survejuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ka dhe supervizor të saj dhe nuk është devijuar.
Karbunara ka rreth 5 mijë banorë dhe pjesa më e dendur e popullsisë banon pranë këtij segmenti. Projekti ka të parashikuar ndërtimin e trotuareve në dy anët e rrugës, por në pjesë të veçanta, për shkak të kaosit të ndërtimeve trotuaret pothuajse nuk ekzistojnë. Vlera e punimeve për një kilometër e gjysmë rrugë është një miliard lekë dhe investimi i nisur në fillim vit, pritet të përfundojë në muajin Qershor. /abcnews.al

