Për kryeministrin Edi Rama, PD është marrë peng nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Duke folur për “Zërin e Amerikës” Rama, nuk hezitoi t’i kujtonte Lulzim Bashës takimin e natës së 17 majit në vitin 2017.
Në këtë datë pati një marrëveshje pas disa orësh mes Bashës dhe Ramës. Kjo datë sipas Lulzim Bashës ishte ditë e zezë për PD-në, ndërsa Rama u shpreh sonte se ishte e vetmja natë që mban mend nga opozita.
“Është një pengmarrje e opozitës nga dy personazhe. Njëri non grata nga SHBA. Që është fundi i botës së një lideri. Ndërsa tjetri një humbës serial që flet sikur ka zbuluar Amerikën por është peng i vetvetes. Janë personazhe pa legjitimitet. Ne nuk kemi pasur opozitë gjatë gjithë kësaj periudhe. Nuk mbaj mend një ditë me një opozitë racionale e të arsyeshme. Gjatë qeverisjes mbase mbaj mend vetëm një natë me një opozitë racionale, por asnjë ditë. Ndaj po rrisim kapacitetin për të dëgjuar njerëzit. Pa dallime.” tha Rama.
Për sa u përket zgjedhjeve lokale të pjesshme Rama tha se gjithçka do të jetë në dorën e zgjedhësve për të vendosur, por ai nuk e cilëson një betejë politike për “jeta e vdekje”.
“Kemi respektuar një proces që është tejet i vonuar pas një shkelje të Kushtetutës nga Presidenti që mori peng këto komunitetet. Tani jemi në një fazë përfundimtare me 6 kandidatë që ofrojnë vlera dhe aftësi. Janë zgjedhje vendore jo politike. Jemi për bashkim jo për ndarje. Përballë kemi dy forca që janë në kunj me njëra tjetrën dhe të dyja janë pa legjitimitet moral. Për shkak të dy udhëheqësve të tyre që janë pengje të të shkuarës. U takon qytetarëve që të bëjnë zgjedhjen e tyre. Nuk është një betejë për jeta vdekje. Është një ofertë. Dhe kush do që të ec para do u japë votën kandidatëve tanë. Kush do votojë për politikë me jetën e vet dhe do e paguaj nëse voton kështu duke e lënë bashkinë pa një kujdestar.” tha Rama.
/abcnews.al/