Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Mbyllja e ambasadave në Ukrainë apo tërheqja e stafit diplomatik është një veprim i gabuar, pasi hapa të tillë rrisin edhe më shumë stresin dhe ankthin në shoqërinë ukrainase. Në vend të kësaj, është e rëndësishme që ndërkombëtarët të jenë të pranishëm në Ukrainë.
Nëse arsyeja e largimit është e nxitur nga frika e shpërthimit të luftës Rusi-Ukrainë, atëherë ambasadat duhet të mbyllen edhe në Rusi.
A nuk janë edhe ata diplomatë po aq të rrezikuar?
Fakti që vendet u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina është pak më i kuptueshëm, sepse është e rëndësishme që mesazhi të transmetohet tek të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe më pak të informuarit.
Megjithatë, lind pyetja: pse u kërkohet qytetarëve të largohen vetëm nga Ukraina, por jo edhe nga Rusia?
Në fund, efekti kryesor i thirrjeve aktuale për t’u larguar nga Ukraina është dobësimi i Ukrainës. Situata është bërë edhe më çuditshme kur në mëngjes një vend u kërkoi qytetarëve të largohen dhe disa orë më vonë linja ajrore kombëtare po këtij vendi njoftoi se do të ndalojë të gjitha fluturimet për në Ukrainë, raporton abcnews.al
Si duhet të largohen qytetarët atëherë?
Përmes shfaqjes së saj të forcës gjatë muajve të fundit, liderët perëndimorë po takohen me Vladimir Putin.
Por pse në Moskë? Takime të tilla duhet të mbahen në vende neutrale. Zhvillimi i bisedimeve në kryeqytetin rus kontribuon më tej në rritjen e niveleve të stresit të shoqërisë ukrainase.
Prandaj, për të qetësuar situatën, prania e vazhdueshme dhe e nivelit të lartë të demokracive në Kiev dhe pjesë të tjera të Ukrainës është thelbësore. Gjatë javëve të ardhshme, vendet perëndimore duhet të bien dakord për një orar të vizitave në Ukrainë – në mënyrë që të sigurojnë një prani të vazhdueshme të nivelit të lartë atje.
Kjo do të ishte një shfaqje e vërtetë solidariteti. Presioni nga Rusia, plus thirrjet e vendeve perëndimore për t’u larguar nga Ukraina, janë gjithashtu një goditje e madhe për ekonominë e Ukrainës, raporton abcnews.al
Rritja e aftësive të mbrojtjes ka shpenzime të mëdha, dhe nëse në krye të kësaj pezullohen investimet dhe kompanitë e huaja, atëherë kjo i bën gjërat edhe më të komplikuara. Do të duhet shumë kohë për të marrë veten.
Qëllimi i Rusisë është të fusë Ukrainën në sferën e saj të influencës. Ajo dëshiron që Ukraina të heqë dorë nga rruga e saj drejt BE-së dhe NATO-s. Deri më tani, Ukraina është treguar e durueshme pavarësisht presionit të madh. Vendet demokratike perëndimore nuk duhet t’i bëjnë gjërat edhe më të vështira për Ukrainën.
Kjo do të thotë se ato duhet të jenë pranë Ukrainës duke e mbështetur me çdo mundësi. Mbi të gjitha, duhet të mbajnë një prani të fortë dhe të dukshme diplomatike në Ukrainë.
Në vend të tërheqjes së stafit diplomatik disa ambasada duhet të qëndrojnë të hapura, për shembull në pjesën lindore të vendit.
/abcnews.al