Djegia e mandateve/ Bushati: Skenar i Berishës, Basha vetëvrasje politike

schedule22:10 - 28 Shkurt, 2019

schedule 22:10 - 28 Shkurt, 2019

Një skenar të Berishës e konsideron deputeti socialist Ervin Bushati djegien e mandateve të opozitës. në studion e Mbrëmje në ABC News Bushati tha se kreu demokrat Lulzim Basha ka bërë vetëvrasje politike dhe nuk mund të bëhet Kryeministër me këto veprime që ka bërë.

“Ne nuk jemi dakord për veprimet që imponon Berisha mbi Bashën. Ky është skenar i Berishës, një ditë PD ndoshta vjen në mazhorancë, por Basha nuk bëhet dot kryeministër me këto që ka bërë. Nuk besoj se Basha me të vetën do bëhej kamikaz, kjo është një harakiri politike (vetëvrasje politike). Basha po përpiqet të mbajë peng PD, dhe për këtë më vjen keq”.

Sikurse edhe socialistët e tjerë Bushati i qëndron mendimit se opozita është frikësuar nga SPAK, i cili sipas tij do të nisë punë në qershor.

“Nëse është gabim të fitosh vetëm dhe bindshëm, të pacenueshme dhe të padiskutueshme. Ne ndoshta kemi shumë gabime, por Basha është gabim me kapitale. Ne nuk jemi engjëj, por vullneti ynë është i shenjtë që të bëjmë reformën në drejtësi, se korrupsioni vret si në Gërdec, politika hap rrugën që të ndërtohet një sistem që ne nuk kemi pas ndonjëherë. Jemi votuar për të qenë të qetë, të kthjellët e të duruar dhe të bëjmë atë që kërkon më shumë kohë. Unë mendoj që SPAK në qershor do fillojë punë dhe kjo i ka nxehur këta. Në radhë të parë është bashkëpunim 80% amerikan dhe 20% i takon mazhorancës. Ne mendojmë se ata kanë më shumë për t’u trembur”.

I pyetur se si do të qeverisë mazhoranca në një situatë të tillë, Bushati përgjigjet i bindur se opozita do të kthehet në parlament.

“Që në 2017 PD më shumë ka qenë jashtë se brenda. Kam besim se kjo opozitë do vijë, unë them do vijnë, unë them se do binden, kanë akoma kohë. Këtë e kam bindje të plotë”.

Ai i bëri thirrje Bashës që të distancohet nga presioni i Berishës dhe të mos djegë karrierën e tij politike.

“Unë them që opozita t’i thërrasë mendjes, nuk mund t’i bëjmë ne oponencë qeverisë, por opozita duhet të jetë reale, por jo nga rruga. Basha duhet të ngrihet nga kontrata me Berishën dhe besoj se ka një presion nga Berisha. Kjo është të marrësh një plumb për tjetrin. Djeg karrierën politike”.

Sa i takon mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme, Bushati thotë se është e pamundur, se janë kosto për vendin, por thekson se opozita duhet t’i bindet sistemit dhe të përgatitet për garë.

“Zgjedhjet lokale janë në qershor,  më mirë të mësojmë sistemin sesa pasione, duhet t’i bindemi sistemit, e meriton shoqëria shqiptare të jetë në Evropë dhe jo politika. Shko përgatitu dhe merr ndeshjen e radhës. Kjo nuk është normale, është absurde”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!