Delegacioni i eurodeputetëve që zbarkoi në Tiranë vetëm një ditë më parë në përfundim të takimeve me faktorët politik në vend vunë theksin sërish tek nevoja për stabilitet të brendshëm në vend, në mënyrë që progresi drejt integrimit evropian të vijojë.
Kreu i delegacionit Kelam bëri thirrje për mos shkaktim të vonesave të tjera në procesin e integrimit, përmes mos-marrëveshjeve të brendshme, duke iu referuar largimit zyrtar të opozitës nga Parlamenti.
Palët duhet të kalojnë ndasitë partiake sipas eurodeputetëve të cilët deklaruan gjithashtu se sipas tyre, Parlamenti është zgjedhur në rrugë të ligjshme dhe se qeveria e sotme është legjitime.
Përqendrimi tek opsioni i një qeverie kalimtare sipas tyre do të shpërqendronte vendin nga synimi parësor, ai i integrimit evropian. Eurodeputetët bënë thirrje për dialog mes palëve duke deklaruar se nëse kjo do të arrihet përpara Qershorit kur Këshilli i Ministrave evropianë mblidhet për të vendosur për negociatat për Shqipërinë, do të shihet si diçka pozitive.
Tunne Kelam: “Duam që Shqipëria të hapë zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Qershor, e për këtë duam të mos shkaktohen vonesa të tjera për shkak të mosmarrëveshjeve kombëtare. Shqipëria ka bërë progres domethënës në shumë fusha, ka bërë hapa të mëdhenj përpara në Reformën në Drejtësi. Duhen kaluar ndasitë partiake për çështjen e integrimit dhe bojkotimi i Parlamentit në vetvete përbën një sinjal shumë të keq. Nuk mund të gjesh pretendim për të vonuar hapjen e negociatave. Gjithashtu jemi kundër protestave të dhunshme, nuk është mënyrë demokratike për zgjidhjen e problemeve. Shqipëria ka nevojë për shumë herë më tepër hapësirë për shoqërinë civile, e cila duhet të ketë më shumë qasje në institucione. Ndërkohë, zëri i të rinjve duhet dëgjuar nga qeveria për Reformën në Arsimin e Lartë”.
Knut Fleckenstein: “Ne të gjithë mbajmë në mendje datën 19 Qershor, vendimin që do të marrë Brukseli. KE ka kërkuar proces reformash. Procesi i reformave po vazhdon, vettingu po vazhdon. Ne i bëjmë thirrje këshillit të përqendrohet tek këto fakte dhe të hapet drita jeshile. Ne nuk kemi dyshim që ky parlament do të vazhdojë rrugëtimin e vet, ndoshta edhe me anëtarë të rinj. Më vjen shumë keq, djegia e mandateve nuk është një mënyrë e përshtatshme për të zgjidhur problemet në vendin tuaj. Ne presim që deputetët të shkojnë në punë. Dje patëm shkëmbime me disa ndoshta ish anëtarë të parlamentit. Ne ua bëmë të qartë se i kuptojmë argumentet e Bashës, por edhe sikur opozita të ketë tërësisht të drejtë, me bojkotin nuk do të zgjidhet asgjë. U zhgënjeva shumë nga Kryetarja e LSI-së, sepse ajo tha vetëm një fjali në fund të takimit, duke na thënë se në Shqipëri ka nevojë për ndryshim pushtetit dhe nëse evropianët nuk e kuptojnë këtë, ai nuk është problemi i tyre”./abcnews.al