Që në muajt e parë që shpërtheu pandemia e koronavirusit, u bë e ditur se mund të infektoheshim sërish me Covid. Shembulli më i qartë ishte një burrë 33-vjeçar nga Hong Kongu, i cili u infektua me COVID-19 dhe pas 4.5 muajsh u riinfektua sërish.
Raportet e ri-infektimit kanë qenë të shpeshta që atëherë, veçanërisht pas shfaqjes së variantit Omicron. Hulumtimet e hershme nga Afrika e Jugut sugjerojnë se ky rrezik është rritur që nga shpërthimi i mutacionit të ri, raporton abcnews.al
Pse numri i riinfektimeve është në rritje?
Përgjigja e thjeshtë është sepse mbrojtja nga imuniteti ynë nuk është e mjaftueshme për të parandaluar një infeksion të ri. Kjo mund të jetë për shkak të shfaqjes së një varianti të ri siç është Omicron, i cili, për shkak të mutacioneve është më pak i njohur nga sistemi imunitar, që do të thotë se virusi anashkalon imunitetin e mëparshëm.
Ose mund të jetë për shkak se sistemi imunitar është dobësuar. Për më tepër, pasi koronavirusi pothuajse gjithmonë hyn në trupin e njeriut përmes hundës dhe fytit, imuniteti i mukozës priret të jetë relativisht jetëshkurtër në krahasim me imunitetin në të gjithë trupin.
Sa të shpeshta janë riinfektimet?
Mbretëria e Bashkuar ka publikuar të dhëna për ri-infektimet. Konkretisht, e ka klasifikuar një riiinfektim: një person që rezulton pozitiv më shumë se 90 ditë pas infeksionit të fundit.
Që nga data 6 shkurt 2022, në Mbretërinë e Bashkuar u regjistruan 14.5 milionë raste dhe rreth 620,000 ri-infektime- pra një riinfektim për çdo 24 raste të mëparshme. Më shumë se 50% e të gjitha riinfektimeve janë raportuar që nga 1 dhjetori 2021, duke treguar sërish se rreziku është rritur ndjeshëm për shkak të Omicron.
ONS vlerëson se shkalla e riinfektimet është rritur 15-fish që nga shpërthimi i Omicron dhe se ri-infektimet aktualisht përbëjnë rreth 10% të të gjitha rasteve të raportuara në vend.
Por a janë riinfektimet më të lehta?
Infektimi te personat e vaksinuar (të cilët kanë njëfarë imuniteti ndaj COVID) janë përgjithësisht më pak serioze sesa infektimi te personat e pavaksinuar – kjo është arsyeja pse normat e shtrimit në spital janë më të ulëta te personat që janë vaksinuar. Prandaj, është e arsyeshme të supozohet se, në përgjithësi, ri-infektimet duhet të jenë më pak të rënda se infeksioni fillestar, pasi personi që do të riinfektohet do të ketë njëfarë imuniteti.
Dhe megjithëse imuniteti ndaj infektimit me koronavirus dhe shfaqja e simptomave të COVID është ulur, mbrojtja kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes duket shumë më e fortë. Megjithatë, një rol të rëndësishëm luan edhe lloji i koronavirusit, raporton abcnews.al
ONS vlerëson se vetëm 20% e personave që u infektuan sërish me Alfa kishin simptoma, 44% e personave të infektuar me Delta kishin simptoma, dhe 46% e të infektuarve me Omicron zhvilluan simptoma. Të dhënat tregojnë gjithashtu se personat që u riinfektuan me Alfa kishin shumë më pak gjasa të zhvillonin simptoma për herë të dytë.
A rritet mbrojtja nga riinfektimet?
Definitivisht po. Një infeksion i mëparshëm ofron mbrojtje të ngjashme kundër infeksionit Omicron si dy doza vaksine. Por një imunitet i tillë nuk do të sigurojë 100% mbrojtje.
Ka të dhëna se njerëzit janë infektuar disa herë.
/abcnews.al