Kina pretendon arrestimin e trafikantëve të qenieve njerëzore në rastin e gruas së lidhur me zinxhirë

schedule02:06 - 12 Shkurt, 2022

schedule 02:06 - 12 Shkurt, 2022

Autoritetet në qytetin Xuzhou të Kinës thanë se një grua e sëmurë mendore, e cila u gjet me një zinxhir në qafë në një kasolle fshati është viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore. Në lidhje me rastin janë arrestuar tre persona. Një video e nënës së tetë fëmijëve ngjalli zemërim masiv në internet kur u shfaq dy javë më parë.

Zyrtarët fillimisht hodhën poshtë pretendimet për trafikim, por përdoruesit e rrjetit të indinjuar kishin mbajtur presionin, me disa që bënin thirrje të përditshme për hetim. Shumë prej tyre ngritën gjithashtu dyshime për rrëmbime dhe abuzime raporton “BBC”. Edhe zhurma rreth Lojërave Olimpike të Pekinit nuk ka arritur t’i shkëpusë njerëzit nga çështja dhe një temë në rrjetin social Weibo mbi gjendjen e vështirë të gruas ka marrë më shumë se 3 miliardë shikime që kur lajmi u shfaq për herë të parë.

Gruaja ishte gjetur e mbyllur në një kasolle pa derë jashtë shtëpisë së saj, e veshur me një shtresë të hollë rrobash në temperatura të ftohta. Ajo u dërgua në spital pasi rrethanat e saj u bënë publike nga një vloger kinez. Zyrtarët thanë se ajo ishte diagnostikuar me skizofreni.

Rasti ka ndezur tërbimin kombëtar në Kinë që kur u shfaq në fund të janarit dhe përqendroi vëmendjen tek gratë në zonat rurale dhe trafikimin e nuseve. / abcnews.al