Haradinaj, 2 orë me zyrtarët amerikanë

schedule23:05 - 27 Shkurt, 2019

schedule 23:05 - 27 Shkurt, 2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj zhvilloi sot një takim me zyrtarë amerikanë të sigurisë. Haradinaj ka përsëritur qëndrimin e Prishtinës për një marrëveshje të detyrueshme me Serbinë në kufijtë ekzistues.

Rreth 2 orë ka zgjatur takimi i presidentit të Kosovës dhe kryeministrit me zyrtarët e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së. Haradinaj doli rreth gjysmë ore para se të përfundonte takimi, por nuk dha detaje duke thënë se për gjithçka do të flasë nesër. Edhe zyrtarët amerikanë preferuan të mos flasin për media. Por më vonë zyra e kryeministrit ka lëshuar një komunikatë për media e cila është e përgjithësuar dhe nuk përmend detaje rreth taksës. Në të thuhet se Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Sipas komunikatës së zyrës së kryeministrit Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në komunikatë gjithashtu thuhet se Kosova i mbetet besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /abcnews.al