Ish-lojtari i Tiranës, Albi Doka tashmë zyrtarisht është transferuar në Hungari te skuadra e Budapest Honved.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është prezantuar ditën e sotme si futbollisti më i ri i skuadrës hungareze.
Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi nëpërmjet rrjeteve sociale, ku shkruhet se Doka është huazuar nga Gorica deri në fund të sezonit.
“Kemi përforcuar linjën e djathtë me një mbrojtës të shpejtë, teknik dhe që i pëlqen të ndihmojë skuadrën në sulm me dinamizmin e tij”, deklaroi Gabor Kun, CEO i Honved.
Mbrojtësi 24-vjeçar, nuk e fshehu gëzimin e tij për këtë hap të radhës në karrierë, teksa theksoi se është gati për një sfidë të tillë ku do të shfaqë të gjithë potencialin e tij për të ndihmuar skuadrën në marrjen e rezultateve pozitive.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Honved është një klub i rëndësishëm me histori të madhe. Ardhja këtu është një hap përpara dhe një mundësi e mirë për t’u përmirësuar.
Jam gati për këtë sfidë, jam në formë të mirë dhe mezi po pres t’i bashkohem shokëve të rinj në stërvitje. Kam besim se së bashku do të arrijmë rezultatet më të mira të mundshme”, deklaroi Doka pas firmës me Honved.
/f.a/abcnews.al