Presidenti francez Emmanuel Macron këtë javë ka nisur një turne diplomatik në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën në Ukrainë. Ai mbërriti në kryeqytetin ukrainas, Kiev, të martën pas gati gjashtë orësh bisedimesh me Putin në Moskë të hënën.
Gazetarja Erisa Zykaj në një lidhje me emisionin “Log.” në ABC analizoi qëndrimet e Macron. Ajo u shpreh se është e paqartë nëse SHBA dhe NATO do të pranojnë të tërheqin trupat në vendet e lindjes.
“Macron lëshoi një lloj mesazhi të paqartë kur tha se në tryezë është vendosur një ide franceze. Këtë nuk e ka sqaruar më tej Macron. NATO thotë se nuk mund të lejojmë të shkelen parimet e aleancës atlantike. Është një çështje mes nesh dhe Ukrainës. Edhe SHBA.
Nuk është e qartë nëse mbetet si opsion i negociueshëm apo jo. Çështja e dytë që e ka tërhequr Rusinë të negociojë është kontrolli i trupave ushtarake në Europë. Nuk dihet nëse SHBA dhe NATO do të pranojnë të tërheqin trupat në vendet e lindjes”, tha Zykaj.
Ajo deklaroi se në aspektin e tretë mbetet çështja e furnizimit të Europës me gazin rus. Zykaj nënvizoi se ka disa shtete që janë të varura prej tij.
“Në aspektin e tretë është ai i furnizimit me gazin rus të Europës. Edhe kancelari gjerman nuk i është referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërprerjes së gazjellësit Nord Streem 2. Ky gazjellës do furnizojë 2-fish më shumë BE-në. Kemi disa shtete që janë të varura.
BE thotë në parim se nuk i shërben BE-së ky gazsjellës, por nëse një shtet thotë se është në të mirën e tij, ne nuk mund ta ndalojmë. Është shumë e qartë që Europa ka nevojë kaq shumë për këtë energji të gazit dhe naftës sepse lidhet drejtpërdrejtë me ngrohjen e banesave dhe nevoja të tjera”, u shpreh ajo. /abcnews.al