SHBA ofron 10 milionë dollarë për informacion rreth liderit të IS-K

schedule08:30 - 8 Shkurt, 2022

schedule 08:30 - 8 Shkurt, 2022

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 10 milionë dollarë si shpërblim për ata që kanë informacione që ndihmojnë në identifikimin e liderit të degës së grupit, Shtetit Islamik në Afganistan (IS-K).

Departamenti amerikan i Shtetit ka ofruar edhe 10 milionë dollarë shpërblim për informacion që do të ndihmonte në arrestimin dhe gjykimin e personave përgjegjës për sulmin me bombë vetëvrasëse jashtë aeroportit të Kabulit në gusht të vitit të kaluar.

Si pasojë e këtij sulmi kanë vdekur të paktën 173 persona, përfshirë 13 ushtarë amerikanë.

Përgjegjësinë për këtë sulm e pati marrë IS-K.

Sanaullah Ghafari, i njohur edhe si Shahab al-Muhajir, është identifikuar nga SHBA-ja si lider i IS-K.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë në muajin nëntor se Ghafari është emëruar udhëheqës i IS-K në qershor të vitit 2020 dhe se ai është përgjegjës për miratimin e të gjitha operacioneve në grupit në Afganistan.

Autoritetet amerikane kanë shpallur Ghafarin dhe dy liderë tjerë të grupit si terroristë globalë.

Pentagoni ka thënë javën e kaluar se është duke hetuar sulmin në aeroport, i cili është kryer në ditët e fundit kaotike të largimit të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja nga Afganistani.

Sulmuesi është identifikuar nga Shteti Islamik si Abdul Rahman al-Logari, i cili është liruar prej burgut nga talibanët, pasi këta të fundit kanë marrë kontrollin e Kabulit më 15 gusht të vitit të kaluar./REL

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!