Në rubrikën “Abc-ja e mëngjesit”, mjekja nutricioniste Albana Daka ndau disa këshilla për regjimin ushqimor që duhet të ndjekin personat që po kalojnë Covid-19. Për moderatorin Alban Musa, Dr. Albana tha se regjimi i shëndetshëm është “çelësi” për një sistem të fortë imunitar. Ajo tha se duhet hequr dorë nga produktet me sheqer të shtuar dhe të merren ushqime të përgatitura në kushte shtëpie, sidomos lëngje.
“Duhet të jetë një regjim me shumë lëngje sepse për shkak të temperaturës së lartë, organizmi nxjerr lëngjet dhe dehidratohet. Këto lëngje duhet t’i kompesojmë nga jashtë në formën e ujit, çajrave, lëngjeve të frutave, kompostove në kushte shtëpie dhe jo ushqimeve të paketuara dhe sheqernave të shtuar. Kjo vlen dhe për fëmijët sepse kanë ulje të oreksit. Nëse tek të rriturit kemi parë një mungesë nuhatjeje ose shije, fëmijët kanë modifikim të nuhatjes dhe shijes.
Pra., fëmija i percepton aromat si jo të mira dhe refuzon ushqimin. Prindërit nuk duket t’i lënë të hanë çfarë të duan si patatinat, ëmbëlsirat sepse marrin disa kalori dhe mund të dëmtojnë sistemin imunitar që është i rëndësishëm në këtë periudhë.”, tha Dr. Albana duke theksuar nevojën e marrjes së vitaminave D dhe C, zinkun dhe probiotikëve për të mbrojtur sistemin tretës. Dr. Albana vuri theksin dhe te gjendja psikologjike.
“Ka shumë rëndësi gjendja psikologjike për të mos kaluar në stres psikologjik. Kjo rrit frekuencat respiratore, shton dhe mbivendos vështirësi në frymëmarrje. Duhet ta marrin me qetësi, duhet të merren me aktivitete, të lëvizin por dhe aktivitet fizik në kushte shtëpie për të mos krijuar imobilitetin gjatë Covid-19.”, u shpreh nutricionistja.
Por çfarë ushqimesh duhet të kemi parasysh? Mjekja shpjegoi gabimin që pothuajse bëjnë të gjithë. Ajo tha se duhet treguar kujdes me konsumin e lëngut të kockave. Gjithashtu, Daka theksoi se duhet treguar kujdes dhe pas periudhës që keni kaluar virusin pasi shumë njerëz po përballen me simptomat post Covid, duke lënë probleme në organe të tjera.
“Në këtë fazë duhet të kemi një regjim të dominuar nga perimet dhe fruta me proteina të lehta si bishtajoret, farat, arroret dhe bimoret si peshku dhe pula. Mishi i kuq nuk duhet të merret jo më shumë se dy herë në javë. Ata që kanë sëmundje shoqëruese, regjimi ushqimor duhet të jetë i gërshetuar me regjimin që menaxhon sëmundjen kronike. Një diabetiku nuk mund t’i shtojmë sasinë e sheqernave apo një pacient hipertensiv, duhet të marrë një sasi minimale të kripës.
Regjimi duhet të ketë lëngje. Lëngu i pulës mund të përdoret, i kockave por jo me mishin e kuq më shumë se dy herë në javë. Personat që nuk kanë patologji shoqëruese mund të tolerohet marrja e lëngut të kockave përditë. Regjimi duhet të ketë sasi të mirë proteinash në regjim, por nuk duhet të abuzojmë me sasinë dhe me ushqimet e shëndetshme. Nuk duhet alkool, sheqerna dhe mishra e përpunuar. Të kemi një ushqim bazik familjar me shumë lëngje dhe fruta dhe perime.”, tha Dr. Albana.
/abcnews.al