Ardian Mema ngre Tiranën nga fundi i tabelës drejt Kupave të Europës

schedule18:15 - 24 Shkurt, 2019

schedule 18:15 - 24 Shkurt, 2019

Tirana është transformuar nga një skuadër e fundit të tabelës, në një pretendent për kupat e Europës. Merita më e madhe për këtë i takon trajnerit Ardian Mema.

Vetëm një çun i shtëpisë mund të kishte emocione të tilla. Ardian Mema është një i tillë dhe e ndjeu derisa i dolën lot nga sytë, fitoren më të madhe si trajner i Tiranës, atë në stadiumin e Korçës. Natyrisht që nuk mund të paragjykohet asnjë teknik tjetër, pa të kaluar bardheblu, por një lidhje e tillë shpirtërore mund të krijohet vetëm nga përvoja e gjithë jetës së njeriut.

Me Ardian Memën, Tirana është shkëputur nga fundi i tabelës dhe po ngjitet hap pasa hapi drejt vendeve të kreut, pse jo për të pretenduar kualifikimin në Europë. Nga rreziku i Kategorisë së parë, te kupat kontinentale, është një transformim rrënjësor dhe Mema ka meritën e tij të padiskutueshme, më të madhen nga të gjithë.

Jo vetëm sepse po merr pikët, por sidomos sepse po e arrin me lojë të bukur, madje moderne nëse na lejohet të shprehemi kështu, diçka që pakkush e bën në Superligën shqiptare. Skema klasike 4-3-3, që Tirana e ka luajtur që në vitet 80-të, po zbatohet me lëvizjet pa top, dhe me qarkullimin e shpejtë të sferës.

Simbol i filozofisë së trajnerit janë minutat e fundit në Korçë, kur në vend që të kënaqej me barazimin, vazhdoi lojën e shpejtë dhe sulmuese, në kërkim të fitores.

Gjithkush duhet të jetë i sigurt se suksesi nuk po arrihet thjesht nga gjaku bardheblu i Memës, por në radhë të parë nga kompetenca e tij. Njerëzit që e kanë ndjekur karrierën e tij, pohojnë se trajneri ka investuar shumë profesionalisht, duke u rritur shumë teknikisht dhe nga ana e eksperiencës.

E ndihmuan etapat e tjera, që kur punoi me ekipet e moshave, me kombëtaren U17, me Tiranën B, në Arabinë Saudite si edhe si ndihmës i Ilir Dajës tek Skënderbeu e Flamurtari. Tifozët dhe dashamirësit po e urojnë masivisht në faqen e tij në FB, ashtu si edhe ish-drejtues të klubeve ku ai punoi apo gazetarë të shumtë.

Ardian Mema mori detyrën si trajner i Tiranës në 15 Tetor të vitit të kaluar, dhe në vetëm 4 muaj i ka dhënë ekipit fytyrën e tij, dhe i ka thyer tifozëve besimin se shpejt do të kthehet lavdia e dikurshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!