Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kukës pasi rinisën fluturimet në aeroport. Rama u zotua se brenda këtij mandati aeroporti i Kukësit do të jetë një pikë referimi jo vetëm për zonën, por edhe më tej, duke e cilësuar si epokë të re.
Sakaq, gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal edhe tek aeroporti i Rinasit, ku theksoi se do të nisin investimet për pistën dhe terminalin e ri.
“Aeroporti i Tiranës sot është shumë konkurrues. Besoj se me lëvizjen tjetër të qeverisë për të hequr taksën e kufirit do të ketë një tjetër ulje të çmimeve për qytetarët. Ajo që vlen të theksohet këtu është punësimi. Sot kompania WizzAir ka 200 të punësuar dhe plani është për 500 të punësuar. Janë vend pune cilësore të paguara mirë.
Ne do të vazhdojmë investimet. Në aeroportin e Tiranës do të jenë masive bazuar në marrëveshjen që kemi bërë me koncesionarin më në fund shqiptar. Do të investohet për pistën, për terminalin e ri për të përballuar të gjithë këtë fluks të rritur.
Lexo edhe: “19 euro fluturimi në këto destinacione” Rama: Nuk i ndahem Kukësit derisa të sjell çunat e Londrës
Sot kemi një vend me barrën ë të ulët të taksave për individët dhe qeveria po bën një sforco të jashtëzakonshme për ti mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Për ta çuar deri në fund paralelisht me Tiranën ne po investojmë në Vlorë dhe do të vijojmë edhe në Sarandë. Këtu në Kukës fillon një epokë e re për aeroportin e Kukësit. Unë nuk do ti ndahem kësaj zone për të çuar deri në fund për qindra mijëra pasagjerë që hyjnë e dalin nga ky aeroport. Brenda këtij mandati Kukësi dhe aeroporti i tij do të jetë një pikë referimi. Pasi oferta e Kukësit do të jetë një ofertë shumë konkurruese dhe fituese për të gjithë”, tha Rama. g.v/abcnews.al