Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov këtë të enjte pak para mbërritjes së presidentit turk Tajip Erdogan , ka bërë me dije se dy vendet do të nënshkruajnë një marrëveshje kornizë për ndërtimin e dronëve turq në Ukrainë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ministri është shprehur i lumtur të ndryshonte vendin e bisedimeve të paqes për Ukrainën lindore, duke favorizuar Stambollin ose një qytet tjetër turk pas propozimit të Erdoganit dhe shtoi se Rusia do të duhej të pajtohej me këtë.
Bisedimet për një armëpushim që synon t’i japë fund konfliktit në Ukrainën lindore po mbahen kryesisht në Minsk, kryeqyteti i Bjellorusisë, por vendi ka krijuar lidhje më të ngushta me Rusinë pasi tensionet midis Kievit dhe Moskës janë rritur muajt e fundit.
Gjithashtu ministri ka theksuar se numri i shkeljeve të armëpushimit në Ukrainën lindore është ulur dhe nuk ka pasur viktima në luftimet për tre javë. Ai shtoi se Rusia aktualisht ka 115,000 trupa të stacionuara pranë kufirit me Ukrainën./abcnews.al