Fillon testimi i vaksinës për virusin që vret elefantët

schedule07:40 - 3 Shkurt, 2022

schedule 07:40 - 3 Shkurt, 2022

“Ajo është foshnja jonë çudibërëse!” thotë duke buzëqeshur, rojtarja Katie Morrison e elefantes së quajtur Indali. Katie tregon se elefantja Indali i mbijetoji një virusi vdekjeprurës, i cili në 10 vitet e fundit vrau shtatë këlysha elefantësh në Kopshtin Zoologjik Chester. Kopshti zoologjik me shkencëtarët e Universitetit Surrey po nis fazën e pare të testimit të një vaksine që mund të shpëtojë jetët e elefantëve.

Sëmundja, e quajtur virusi herpes endoteliotrofik i elefantit, ka një shkallë vdekshmërie deri në 85%. “Ne kemi humbur elefantët zakonisht midis moshës 18 muajshe dhe tre vjeç,” shpjegon Katie. “Kur shohim simptoma, letargjie dhe lezione në gojë zakonisht është tepër vonë”. Virusi u zbulua në vitin 1990 dhe u karakterizua zyrtarisht në 1999 nga studiuesit në Kopshtin Zoologjik Smithsonian në Uashington raporton “BBC”.

Ata lidhën 10 raste të një “sëmundjeje hemorragjike shumë fatale” në elefantët e rinj aziatikë dhe afrikanë në kopshtet zoologjike. Në secilin rast, ata gjetën “grimca të ngjashme me virusin herpes” në qelizat e zemrës, mëlçisë dhe gjuhës së elefantëve të ngordhur. Që atëherë, virusi ka qenë makthi më i keq i një kopshti zoologjik. Virusi zakonisht prek kafshët më të reja.

Që nga viti 2010 në Kopshtin Zoologjik Chester ka mbijetuar prej virusit vetëm një këlysh elefanti. Grupe studiuesish në mbarë botën studiojnë virusin herpes endoteliotrofik të elefantit , por tani Kopshtin Zoologjik Chester po bën një hap të rëndësishëm me provën e vaksinës, siç shpjegon shkencëtari kryesor pas zhvillimit të saj, profesor Falko Steinbach i Universitetit Surrey.

“Ne e dimë se është pothuajse e pamundur të parandalojmë infeksionin, por ne po përpiqemi të parandalojmë sëmundje të rënda dhe vdekje,” i tha ai “BBC News”. Studiesit nuk dine shumë rreth mënyrës se si virusi shkakton një sëmundje kaq të rëndë, por besohet se kalohet nga elefantët më të vjetër te elefantët më të rinj, ndoshta kur një elefant është duke u shkëputur nga gjiri dhe antitrupat nga qumështi i nënës bien. Në këtë fazë, sistemi imunitar i një këlyshi elefanti është në një “ekuilibër delikat” me virusin dhe mund të mbingarkohet.

“Qëllimi ynë është t’u japim atyre një prirje para infeksionit,” shpjegon profesor Steinbach. “Pra, sistemi imunitar i elefantit e njeh virusin dhe është i përgatitur”.  / abcnews.al