Thomas Bruns e njeh mirë Armando Brojën, pasi e ka pasur në skuadër për një sezon të Vitesse. Holandezët ndër vite kanë qenë një “stacion” për shumë lojtarë të rinj të londinezëve.
Broja është në atë listë, sikurse edhe Mason Mount që shkëlqeu te Vitesse dhe më pas zuri një vend te kampionët në fuqi të Europës.
Bruns mendon se sulmuesi i Shqipërisë do të veshë fanellën e Chelsea sërish dhe mund të zëvendësojë sulmuesin Romelu Lukaku.
“Broja e sheh Mason Mount si shembullin e tij. Armando nuk ka shifra tronditëse, por përveç atyre dhjetë golave ai ka treguar se çfarë cilësish të tjera ka. Mendoj se mund të arrijë në ekipin e Chelsea brenda katër viteve.
Ky do të jetë edhe qëllimi i tij. Ata do të kenë për një sulmues të ri gjithsesi, nëse Lukaku dëshiron të largohet. Mendoj se ai mund ta zëvendësojë”, ka thënë Bruns për Brojën. / abcnews.al