Kriza politike, Guvernatori i BSH: Kërkojmë stabilitet që rritja ekonomike të vijojë

schedule15:32 - 22 Shkurt, 2019

schedule 15:32 - 22 Shkurt, 2019

Por kriza politike në vend pritet të ketë pasoja negative edhe në sektorin e ekonomisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i ben apel klasës politike të rikthejnë stabilitetin në vend dhe të vijojnë reformat.

Kriza politike që po kalon vendi parashikohet të ndikojë dhe në situatën ekonomike, prandaj Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i tërheq vëmendjen qeverisë dhe opozitës.

“Çdo krizë politike, stabilizim, destabilizim politik do të kishte dhe efektet e tij në ekonomi. Ne si Bankë Qendrore sigurisht që jemi të interesuar dhe bëjmë thirrje që të ketë gjithmonë stabilitet politik në mënyrë që ekonomia, reformat dhe prosperiteti i parashikimit të gjithë reformave tona të një rritje ekonomike të vazhdojë në një mënyrë të suksesshme”, tha Sejko.

Kreu i Bankës Qendrore mbajti këtë qëndrim pas ceremonisë së promovimit të librit “Paraja, Banka dhe Shoqëria, bashkëudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne” me autor Aristotel Panon dhe Anastas Angjelin. Ndërsa përshkroi rrugëtimin tre mijë vjeçar të parasë eksperti i ekonomisë Angjeli mesazhin e dha për aktualitetin që po kalon vendi.

“Zbatimi me konseguencë i sistemit tonë monetar, bankar. Stabiliteti dhe qëndrueshmëria monetare dhe fiskale edhe në kushtet e tronditjebve politike janë të domosdoshme dhe duhet të jenë në vëmendjen e të gjithëve”, tha ai.

Shqetësimin për situatën e trazuar politike pak ditë më parë e shprehu dhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, sipas të cilit destabiliteti step investitorët e huaj për t’u vendosur në Shqipëri./abcnews.al