Trajneri i Interit, Luçiano Spaleti, është i lumtur me fitoren ndaj Rapidit. Kreu i pankinës së zikaltërve refuzon të komentojë çështjen e Ikardit.
Trajneri i skuadrës së Interit, Luçiano Spaleti u shfaq i lumtur për fitoren ndaj Rapidit të Vjenës dhe premtoi se skuadra e tij nuk do të përsërisë me gabimet e së kaluarës që i kanë kushtuar shumë zikaltërve.
“Skuadra është përmirësuar shumë kohët e fundit. Jam i qartë kur them se gabimet që kanë ndodhur më parë nuk do të përsëriten më pasi jemi më të pjekur si ekip. Skuadra po stërvitet shumë mirë dhe jemi duke marrë rezultate të mira. Ajo që unë kërkoj nga lojtarët është vazhdimësia e rezultateve pozitive pasi vetëm kështu mund të arrijmë objektivat”, tha Luçiano Spalleti.
Në lidhje me çështjen e Mauro Ikardit, trajneri tha se është i lodhur dhe preferon të komentojë vetëm ata që zbresin në fushën e lojës.
“U lodha me pyetjet për Ikardin. Do të flas vetëm për ata që zbresin në fushën e lojës. Nuk e di nëse ka zbritur në dhomat e zhveshjes për të përgezuar shokët. Ranokia po zhvillon disa ndeshje në nivele shumë të larta dhe sot u kurorëzua me gol. Ai është shembull për lojtarët e tjerë tek Inter pasi ka shumë vite që luan për këtë klub. Zhvilloi paraqitje të mira në stërvitje dhe i thashë që do të ishte titullar ndaj Rapidit”, tha Luçiano Spaleti. Interi rikthehet në fushën e blertë të dielën në kampionat në ndeshjen ndaj Fiorentinës./abcnews.al