Teuta mori një fitore të vuajtur përballë Skënderbeut në Abissnet Superiore, teksa iu fal golit të shënuar nga Lorenc Vila, i cili i jep fund edhe krizës që kishte kapluar durrsakët.
Pas ndeshjes trajneri Renato Arapi, është shprehur i lumtur për fitoren e arritur, ndërsa theksoi se lojtarët treguan grintë dhe karakter.
“Ka filluar të mungoj futbolli i luajtur por kemi përgjegjësi të tjera. Një rikthim i Hoxhës? Rustemi po bën mirë atje ku është dhe merkato është e mbyllur, të arrijmë objektivat sezonalë dhe më pas duke parë e duke bërë. Na bëri mirë fitorja në Kupë se na rrit moralin, një nga gjërat që nuk kemi bërë mirë është faza e mbrojtjes, por sot kemi bërë mirë.
Në momentin që tregon grintë dhe karakter, ia vështirëson kundërshtarit pasi ekipet nuk kanë shumë diferenca. Kemi punuar shumë me mbrojtjen, do të punojmë dhe me sulmin por duhet edhe pak kohë pasi këto dy ndeshje me Skënderbeun ishin shumë afër.
Kemi punuar dhe detyrat kanë qenë të qarta, krosimi i Peposhit ishte fantastik sepse ishte në një pozicion të vështirë.
Hyka ka nevojë të stërvitet ende, por është në gjendje të mirë dhe është stërvitur gjatë gjithë kohës. Por, e rëndësishme që ai të bëj mirë për veten dhe për ne”, u shpreh Arapi. /f.a/abcnews.al

