Shqipëria më pak tërheqëse në rajon për investime, ministrja: Kemi identifikuar 27 problematika

schedule15:15 - 31 Janar, 2022

schedule 15:15 - 31 Janar, 2022

Nga Erblina Mile

Shqipëria mbetet problematike për tërheqjen  e investimeve të huaja. Maqedonia dhe Serbia vijojnë të thithin projekte gjigande  si pasojë e zbatimit të një strategjie të mirëfilltë për investimet e huaja por edhe për shkak të politikave fiskale më tërheqëse.

Ky shqetësim është ngritur shpesh nga  investitorët e huaj në vendin tonë të cilët kanë kërkuar reagim nga qeveria. Edhe raporti i fundit mbi indeksin global të mundësive tregon se Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit me disa përmirësime të vogla.

Shqipëria renditet në vendin e 66, ndërkohë që Mali i Zi  renditet në vendin e 51 ,Maqedonia e Veriut në vendin e 53 dhe  Serbia në vendin e 59.

Dy elementët më negativ në raport rezulton të jenë shërbimet financiare si dhe kuadri institucional, i cili  ka të bëjë me shkallën në të cilën institucionet e një vendi ndihmojnë ose pengojnë aktivitetin e biznesit.

Në mbledhjen e Këshillit të investimeve ministrja Delina Ibrahimaj pranoi se Shqipëria ka një sërë problemetakish ndërsa theksoi se janë identifikuar 27 çështje të cilat kanë nisur të trajtohen.

“Si më emergjente janë  theksuar ligji tatimor, fiskalizimi, ligji për tatimin mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin dhe lufta kundër informalitetit”, ka thënë ministrja.

Transparency International në raportin e publikuar së fundmi thekson se Mungesa e transparencës dhe korrupsioni mbeten pengesat kryesore në përmirësimin e klimës së biznesit.

Ndërkohë Dhoma Amerikane Tregtisë ka kritikuar ashpër ndryshimet e shpeshta fiskale, ndërsa ka bërë apel edhe për luftë ndaj korrupsionit./abcnews.al