Grupi iniciator i protestave kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, ka dorëzuar në Këshillin e Ministrave draft propozimin për dhënien e statusit të Klientit në Nevojë për energjinë elektrike për kategoritë në nevojë. Kjo iniciativë ka ardhur pasi një e moshuar në Fier ka humbur jetën nga i ftohti ndërsa nuk kishte energji në shtëpi.
Sipas grupit iniciator kostoja për buxhetin e shtetit është e përballueshme.
“Ka raste pafund të fëmijëve që s’mësojnë dot sepse s’kanë energji, kemi raste të njerëzve të sëmurë që u shkëputet energjia elektrike. Për të gjitha kategoritë kemi kërkuar që të përcaktohet një minimun prej 50 kilovatësh në muaj. Qytetarët nuk e kanë më luksin të presin, qytetarët duhet të kërkojnë të drejtat e tyre. Kjo e sotmja është qasje institucionale dhe po e ndjekim në aspektin ligjor. Ne zotohemi që do të kemi mundësi ta adresojmë atë tek të gjitha grupet. Ne mendojmë që kjo çështje duhet çuar deri në fund”, tha avokati Adriatik Lapaj.
“Një pjesë e familjes shqiptare janë duke humbur jetën si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Fëmijët spo mësojnë dot”, tha një tjetër.
“Ideja është për dhënien e statusit të klientit në nevojë. Kostoja për buxhetin e shtetit është e përballueshme”, u shpreh një nga iniciatorët. /abcnews.al