Në Komisionin për Sigurinë Kombëtare është diskutuar projektligji për një qendër të përbashkët policore dhe doganore me Greqinë, ku në fund dhe u votua edhe nga opozita. Pavarësisht se është shprehur pro, Deputeti Ervin Salianji ka bërë deklarata të forta në Komision duke ngritur disa pikëpyetje mbi këtë marrëveshje.
Zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila theksoi qendra e përbashkët policore dhe doganore, do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij, migracionin e paligjshëm, etj. Qendra do pozicionohet në territorin e Republikës greke në ndalesën aktuale të pikës së kalimit kufitar në Kakavijë dhe nuk do të ketë autoritet në vendimmarrje por vetëm në shkëmbim informacioni nga 2 grupet e secilës palë.
Mirëpo Salianji thotë se kjo marrëveshje është kërkuar nga pala greke, duke e lidhur këtë me rritjen e krimit, që sipas deputetit është eksportuar dhe në vende të BE.
“Së pari kjo është marrëveshje e kërkuar nga pala greke apo nga të gjitha palët. Ne do jemi pro siç jemi për çdo marrëveshje ndërkombëtare. Nisur nga fakti që është kërkuar nga pala greke por edhe nga gjithë situata e kriminalitetit të shtuar nga trafiku i klandestinëve, krimi i organizuar, trafiku i drogës , me ekstremizimin e dhunshëm me krime të rënda, të cilat për fat të keq për shkak të gjendjes së rëndë të sigurisë dhe krimit në Shqipëri janë eksportuar dhe në vende të Be dhe në Greqi. Po duket se po kërkohet një marrëveshje tjetër nga një vend tjetër i BE kufitar, që duket qartë se kërkon më shumë informacion për grupet kriminale dhe kjo marrëveshje tregon edhe nga aktorë të jashtëm atë që shohin shqiptarët që këtu kërcet arma në mes të ditës dhe krimi është në nivele të larta. Që Shqipëria po shkon keq e më keq. Ishalla i shërben kjo edhe Shqipërisë. Kjo fakton atë që ne kemi thënë prej 8 vitesh”, tha deputeti.
Salianji duke ngritur shqetësimin e radhëve të gjata të shqiptarëve në pika kufitare, sidomos në raste festash, ka kërkuar që të negociohet për një pikë kalimi të përbashkët për të krijuar lehtësira për qytetarët.
“Së dyti përzgjedhja e doganës e Kakavijës, përse nuk përfshihen të gjitha dhe Kapshtica për shembull. E treta për të sqaruar publikun, kjo do shërbejë vetëm për shkëmbim informacioni në lidhje me çështjet e diskutuara apo mund të kishte mundësi për të pasur pika të përbashkëta të kalimit duke qenë se me Greqinë në mënyrë të përsëritur ka pasur problematika në lidhje me kalimin sidomos në periudhën kur qytetarët shqiptarë vijnë në Shqipëri dhe duhet të kalojnë në Greqi. Është qëndrim që duhet mbajtur për të sqaruar qytetarët se edhe ne në fillim e morëm për pikë të kalimit të përbashkët”. /abcnews.al