Vajza e Topallit krah Berishës, Spahia i përgjigjet Bashës: Faktet flasin, do jetë garë e fortë

schedule17:38 - 30 Janar, 2022

schedule 17:38 - 30 Janar, 2022

Megi Topalli vajza e Jozefina Topallit ka shkuar për të votuar në primaret e zhvilluara nga Komisioni i Rithemelimit, kandidatin që do t’i përfaqësojë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit për kryetar Bashkie në Shkodër.

I pranishëm gjatë votimit ka qenë edhe Bardh Spahia. Nga Shkodra ai ka treguar se si po shkon procesi, sakaq edhe i ka dhënë një përgjigje kreut të PD Lulzim Basha, pasi ky i fundit tha se emrat e kandidatëve që po marrin pjesë në primare sot nuk janë kandidatë të PD.

“Faktet flasin vetë, kjo pamje që kemi është shumë domethënëse është risi, rikthim te forma më e mirë e përfaqësimit demokratik siç është demokracia direkte përmes votimit direkt. Do ishte një risi që do duhej të mbështetej fuqimisht dhe të ushtrohej në shumë raste të tjera sidomos për zgjedhjen e kandidaturave që do të përfaqësojnë vullnetin e popullit në mënyra të ndryshme. Ky varg i gjatë njerëzish tregon se sa e domosdoshme ka qenë rikthimi te vota dhe vlerësimi nga ana e votave të qytetarëve. Në të gjitha vendimmarrjet e mia jam udhëhequr nga interesi publik i bashkëqytetarëve të mi. Sot kemi sjellë një model të ri një frymë të re dhe me shumë gjasë do të bëhemi flamurtarët e kësaj risie. E rëndësishme është që është garë e drejtë. Fakti që është e fortë më gëzon sepse nga garat e forta dalin dhe kandidatë të fortë.

Kushdo që mendon se mund të etiketojë persona, politikanë të dalur nga një formë e tillë vlerësimi masiv nga qytetarët e një bashkie të tërë s’ka nevojë për koment. Kushdo që e komenton negativisht duhet ta ridimensionojë çdo deklaratë të tij. Unë do mbështes votën e qytetarëve shkodran. Do jem përkrah të gjitha vendimmarrjeve që do merren nga anëtarësia e PD. Mbështetjen time se kam dhënë për individë të caktuar, e kam konsideruar veten një ndër kontributorët e shumtë të PD. Të gjithë anëtarësia e PD dhe simpatizantët në nivele dhe pozicione të ndryshme përfaqësimi japin kontributin e tyre. Unë jam mundur të jap maksimumin dhe do jetë vlerësimi nga ana e qytetarëve. Të jesh në krah të shumicës është zgjedhja e duhur”, tha Spahia.

PD reagoi mbrëmë pas listës së publikuar nga Berisha me kandidatët për Primaret. Në reagim thuhej se Berisha po përpiqet ta dëmtojë PD për interesa personale.

Emrat e shpallur sot nga Sali Non-Grata, nuk janë kandidatë të Partisë Demokratike. As ai, dhe as ata nuk kanë më asnjë lidhje me PD! Partia Demokratike njofton gjithë simpatizantët dhe votuesit e saj se emrat e shpallur sot nga grupimi i Sali Non-Grates, nuk janë kandidatë të PD.  Me farsën e radhës, Berisha po përpiqet të dëmtojë PD për interesat e tij personale. Berisha mund të përdorë çdo njeri për hallin e non gratës së tij, por as ai, dhe as ata nuk kanë më asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky është përdorimi dhe mashtrimi i rradhës që Sali Berisha u bën edhe atyre pak demokratëve që nuk e kanë kuptuar akoma hallin e tij“, thuhej në reagim të PD. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!