Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi sot mediat me hakmarrje nëse ato përhapin përmbajtje që dëmtojnë vlerat thelbësore të vendit. Kjo duket se është lëvizja më e re për censurë.
Në një deklaratë të botuar në Gazetën e Qeverisë, Erdogan argumentoi se nevojiteshin masa për të mbrojtur kulturën kombëtare të Turqisë dhe për të mbrojtur fëmijët “nga ndikimi negativ si rezultat i ekspozimit të tyre ndaj përmbajtjeve të dëmshme në të gjitha botimet”, siç e quan ai.
Erdogan nuk specifikoi se çfarë ishte përmbajtja, por tha se mund të ndërmerren veprime ligjore kundër “aktiviteteve të hapura ose të fshehta në media që synojnë të minojnë vlerat tona kombëtare dhe morale dhe të shpërbëjnë strukturën tonë familjare dhe shoqërore”.
Erdogan ka gati 20 vjet në pushtet dhe shpesh kritikon mediat për përmbajtje që nuk janë në përputhje me vlerat konservatore islame të përkrahura nga partia e tij, AKP.
Vitet e fundit, Turqia ka rritur gjithashtu kontrollin e saj mbi mediat. Aktualisht, rreth 90% e medias kryesore është në pronësi të shtetit ose e lidhur me qeverinë. g.v/abcnews.al