Nënkryetari i parlamentit dhe PD-së, Agron Gjekmarkaj i ftuar në “Radarin Informativ” në “ABC” u shpreh se edhe nëse Partia Demokratike i humbet zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashki të vendit, “jeta vazhdon”.
“Është e sigurt që jeta vazhdon, në cdo rast jeta vazhdon. Nuk është kaq tragjike jeta. Përtej gjërave që ndodhin në partitë politike, jeta duhet parë më me gëzim dhe alegri. Por nuk jemi këtu për humbjen, jemi këtu për të folur për fitoren, cilësinë e kandidatëve” tha ai.
Megjithatë ai nuk e mohoi që një humbje në zgjedhjet lokale mund të sillte lëvizje kur tha se “reflektimi vjen sipas situatave”.
Sali Berishën e cilësoi si qesharak. “Berisha është një deputet i pavarur, nuk është më deputet i PD-së, ka axhendën e vet, PD-ja ka të tijën. Berisha e mbyti me lavde pa doganë Lulzim Bashën në 16 vite. Nuk është serioze që tani “Meduzën” e bëri me dy koka, janë pak qesharake”.
Lexo edhe: Gjekmarkaj: Berisha kaloi vijën e zjarrit, kandidatët mund t’i fusë te LSI, kemi vetëm një plan A
Ish-kryeministrin e shikon drejt formimit të një partie të re. “Ky grup jashtë PD-së është drejt formimit të një partie tjetër, një histori e re e bazuar në një histori të vjetër në një parti të re që mund të krijohet”.
Primaret për zgjedhjen e kandidatëve nga grupi i Berishës për zgjedhjet lokale tha se janë shaka, sepse sipas tij ish-kryeministri në fund do të zgjedhë ata që do. “Është si shaka, merr shakanë dhe i vendos përballë seriozitetin, është si referendumi i 18 dhjetorit që u bë në mejhane.
Berisha s’i ka pasur kurrë qejf primaret, është një fasadë, do të vendosë në lojën politike ata që i përgjigjen. I shoh të pa shpresë në këtë aspekt. Do të ishte mirë të ishin më të arsyeshëm në raport me veten dhe qytetin dhe historinë që kanë lënë pas” tha ai.
/Abcnews.al