Sipas nënkryetarit të Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj, kandidatët e Sali Berishës mund të regjistrohen në zgjedhje vetëm në siglën e LSI. I ftuar në Radarin Informativ me gazetaren Fabiola Hoxha ai u shpreh se ka vetëm një Parti Demokratike ndërsa pjesa tjetër janë një grup njerëzish që mund të jenë duke ideuar një parti të re politike.
Ai u shpreh se janë në një proces seleksionimi sa i takon kandidaturave për kryetarë bashkie në 6 bashkitë pa kryetarë ndërsa negociatat me aleatët vazhdojnë. Lidhur me këta të fundit, Gjekmarkaj është i sigurt se do të mbështesin PD-në zyrtare.
“Ka vetëm një PD. Deri kohë më përpara mund të luhej me këto nuanca. PD ka marrë disa vendime duke përjashtuar disa anëtarë dhe duke pezulluar disa të tjerë. Mund të krijojnë një parti dhe ndoshta janë rrugës për të bërë këtë gjë, por nuk mund të flasin për këtë. Ata kanë të drejtë t’i bashkohen LSI-së dhe me siguri drejt asaj po shkojnë. Aleatët e tjerë nuk i janë përgjigjur thirrjes së Foltores. Janë aty. Aleatët janë ndihmë por nuk janë ata që përcaktojnë fuqinë e PD. Po bisedohet me aleatët. Marrëveshjet në Shqipëri arrihen në momentin e fundit. Por ata do jenë në çdo rast në krahun tonë.
Jemi në një proces seleksionimi. Kandidaturat janë shumë. Duke qenë shumë është edhe dilemma për të përzgjedhur sepse duam të çojmë kudo kandidatë me prestigj. Baza e PD në përgjithësi në shumicën e saj mbështet PD e cila është një edhe e vetme dhe në bazë nuk ekzistojnë përçarjet që artikulohen në studiot e Tiranës. PD axhendën e saj të përballjes e ka me Edi Ramën. Nuk kemi kundërshtar tjetër për të mundur në Shqipëri. Është absurd që Shqipëria pas 8 viteve të rrijë në këtë gjendje. Vendi ka mundësi të ndryshojë. Grupi i Foltores nuk e di ku do i regjistrojë kandidatët e vet. Atashimi i tyre me LSI është një histori tjetër. Është e drejta e tyre. Për momentin PD ka vetëm një plan A që është ai i fitores”, tha Gjekmarkaj.
Marrjen e dy posteve të rëndësishme në PD në një kohë të vështirë për partinë, Gjekmarkaj nuk e quan privilegj por përgjegjësi për të dhënë një kontribut sado modest. Ai deklaroi se Berisha dhe mbështetësit e tij kaluan vijën e zjarrit në protestën e 8 Janarit. Gjekmarkaj është optimist se PD po ringrihet dhe këtë sipas tij e tregon edhe mbështetja e demokratëve gjatë takimeve të Bashës nëpër rrethe.
“Të marrësh post në këtë situatë dhe këtë periudhë të pazakontë të PD nuk është për t’u mburrur dhe as për të shitur mend. Unë këtë post e shoh vetëm si përgjegjësi për të dhënë një kontribut modest aq sa mundemi. Gjërat po marrin rrugën e tyre të natyrshme sado që ka qenë një proces i dhimbshëm që na ka çuar drejt përfundimeve logjike. Kishim një vijë zjarri sepse një grup personash të udhëhequr nga Sali Berisha tentuan të futen në seli në datë 8 Janar.
PD do të dalë nga kjo situatë me mbështetjen e demokratëve që do të kuptojnë se je i detyruar të bësh një zgjedhje. Nëse duhet të zgjedhësh mes të shkuarës dhe të ardhmes, duhet të shkosh në të ardhmen. Kriza po tejkalohet dhe PD po ringrihet dhe kjo duket nga mbështetja që po i jepet zotit Basha gjatë takimeve nëpër qytete të ndryshme. PD hyn në këto zgjedhje për t’i fituar këto qytete. Ishte e drejta e presidentit i cili po e vononte shpalljen e datës së zgjedhjeve. Përsëri është në të drejtën e tij kushtetuese dhe PD do i përgjigjet kësaj thirrje për të marrë pjesë. Ne po shqyrtojmë emrat për kandidaturat në 6 qarqet, dhe kam bindjen që PD do dijë ta kthejë në një moment kthese dhe suksesi”, deklaroi ai. /abcnews.al