SHBA diskutime me aleatët: Do të dërgojmë forca shtesë në Evropën Lindore

schedule09:36 - 27 Janar, 2022

schedule 09:36 - 27 Janar, 2022

Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e tyre janë në bisedime për të dërguar mijëra trupa shtesë në vendet e NATO -s në Evropën Lindore përpara çdo pushtimi të mundshëm rus të Ukrainës, kanë konfirmuar për CNN tre zyrtarë amerikanë.

Rumania, Bullgaria dhe Hungaria janë ndër vendet që mendojnë të pranojnë vendosjen e trupave aleate në territorin e tyre. Forca që planifikohet të dislokohet do të jetë rreth 1000 persona në çdo vend dhe do të jetë e ngjashme me ato të vendosura aktualisht në ” Baltic Vanguard” dhe Poloni.

Jo të gjithë janë të gatshëm

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar janë në ballë të përpjekjeve aleate për të forcuar forcat e tyre në Evropën Lindore, por 30 anëtarët e NATO -s nuk janë aq të etur, sipas një diplomati evropian.

Aleatët e NATO-s nuk janë tërësisht në të njëjtën gjatësi vale në vlerësimin e seriozitetit të kërcënimit rus. Gjermania, për shembull, ka refuzuar t’i shesë armë të reja Ukrainës. Si rezultat, Shtetet e Bashkuara janë në bisedime për të dërguar forca shtesë në baza dypalëshe ose, siç u shpreh një zyrtar, si “koalicion i vullnetarëve”.

NATO tha të hënën se po i vendos forcat e veta në gatishmëri dhe po forcon Evropën Lindore me më shumë anije dhe avionë luftarakë, në atë që Rusia e denoncoi si  “histeri” perëndimore në përgjigje të ngritjes së trupave në kufirin me Ukrainën.

Në përgjithësi, qëllimi ushtarak i SHBA-së është “të përmbushë aftësitë operacionale” të kërkuara nga aleatët e NATO- s në rajon, u citua një tjetër zyrtar të thoshte nga CNN javën e kaluar.

Forcat amerikane mund të operojnë, siç bëjnë tashmë, në mënyrë të njëanshme në Evropë, por ato mund të veprojnë edhe nën strukturat ekzistuese të komandës së NATO -s.

Mundësia e një force aleate në “pragun” e Rusisë, në funksion të një pushtimi të mundshëm të Ukrainës, sinjalizon një ndryshim qëndrimi të qeverisë Biden, që më parë shfaqej i përmbajtur në lëvizjet që do të provokonin Moskën. Masa mund të përdoret nga Kremlini si një shembull i qëndrimit agresiv të NATO-s kundër Rusisë, për të justifikuar përqendrimin e forcave të saj përgjatë kufirit me Ukrainën.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha të hënën se Shtetet e Bashkuara kanë vënë 8,500 trupa në gatishmëri të lartë në rast të thirrjes së NATO-s për veprim.

John Kirby i tha CNN të martën se disa trupa ishin gjithashtu në gatishmëri të lartë “vetëm për qëllimet tona, Shtetet e Bashkuara, për të parë nëse kishte nevojë të vazhdonim të siguronim disa nga aleatët tanë të NATO-s në baza dypalëshe”.

Luftëtarët amerikanë në Estoni

Gjashtë avionë luftarakë amerikanë F-15 u ulën në një bazë ajrore të Estonisë të mërkurën dhe do të qëndrojnë atje për një javë e gjysmë. “Gjashtë avionët luftarakë do të vendosen deri në fund të javës së ardhshme”, tha një zëdhënës i bazës ajrore Amari në Estoni.

F-15-të do të përforcojnë misionin e NATO -s në Forcat Ajrore Baltike, tha Komanda Ajrore Aleate. Estonia , Letonia dhe Lituania, vendet baltike, ish-republikat sovjetike, por tani vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, nuk kanë avionë luftarakë dhe mbështeten në NATO për të kontrolluar hapësirën e tyre ajrore.

NATO ka njoftuar se Danimarka do të vendoste katër avionë luftarakë F-16 në një bazë ajrore aty pranë Lituanisë në Siauliai të enjten.

“Aeroplani do të bashkëpunojë me vendet e tjera aleate në të gjithë Balltikun, duke kryer manovra stërvitore ajër-ajër dhe tokë-tokë, përveç misioneve të policisë ajrore”, tha në një deklaratë Forca Ajrore Aleate. g.v/abcnews.al