Manchester United la pas humbjen në Europë, dhe arriti një fitore të madhe në Kupën e Anglisë. Trajneri Solskjaer u kthye përsëri tek suksesi.
Kur skuadra po dilte nga fusha me kokën ulur pas disfatës në Champions, shumëkush mendoi se Manchester United nuk ishte skuadër aq e madhe, sa u duk pas fitoreve radhazi. Gjithsesi, trajneri Solskjaer e mori disfatën me sportivitet dhe u përqëndrua menjëherë tek ndeshja e radhës.
Mbrëmja e së hënës i dha të drejtë dhe suksesi impresiv në fushën e Chelsea-t ishte përgjigja më e mirë e “djajve të kuq”. U kualifikuan bindshëm në çerekfinalen e Kupës së Anglisë me shifrat 2-0, duke luajtur në “Stemford Bridge” me sigurinë e dikurshme të kohëve të Fergusonit.
Ander Herrera shënoi golin e parë dhe Pol Pogba, më i miri lojtar në fushë, shtoi të dytin.
United mund ta harrojë PSG-në, pasi Championsi është një nivel që mund të arrihet ndoshta sezonin e ardhshëm dhe mund të ndihet i lumtur me atë që po bën nën drejtimin e Solskjaerit.
Eleminoi Chelsea-n nga Kupa e Anglisë, dhe i zuri vendin në zonën Champions në kampionat. Në Kupë, në çerekfinale do të ndeshet me Uolvesin, pra ka shanse për gjysmëfinalet dhe për të menduar për një trofe.
“Ishte një fitore e madhe, – komentoi trajneri, – ishte një ndeshje thuajse e përsosur nga ana jonë. Taktikat dolën fituese, dhe unë u kërkova lojtarëve që të bënin presion sa më larg portës sonë. Të vazhdojmë kështu për të pasur sukses në çdo konkurrim”.
Nëse për Junajtidin ishte një triumf, për Chelsea-n ishte disfata më e rëndë. Skuadra humbi një tjetër mundësi për të fituar trofe, pas katastrofës me Manchester City-n në finalen e Kupës së Ligës, me shifrat 0-6.
Pozitat e trajnerit Sarri u dobësuan edhe më shumë, me tifozët që i dolën kundër.
“Koha juaj ka përfunduar, Sarri”, ishte komenti i një tifozi, raportuar nga “Daily Mail”.
“Caktimi i Sarrit si trajner ishte një bast që doli një katastrofë”, ishin fjalët e një tjetri, gjithashtu tepër të dëshpëruar.
Mediat komentuan edhe vërshëllimat dhe ofendimet e disa tifozëve për trajnerin italian, ku më e buta ishte “ti nuk di se çfarë bën”.
“Mua më shqetësojnë rezultatet, dhe jo tifozët, – ishin fjalët e Sarrit, – i kuptoj shumë mirë tifozët, sepse rezultatet nuk janë të mira. Nuk dua të diskutoj nëse do shkarkohem apo jo, duhet të mendoj për ndeshjen e radhës”.
Me shumë gjasë, italiani do të largohet nga skuadra, ndoshta pa përfunduar ende ky sezon./abcnews.al