Studimi: Korona i ka kushtuar 350 miliardë euro ekonomisë gjermane

schedule08:46 - 24 Janar, 2022

schedule 08:46 - 24 Janar, 2022

Pasojat e pandemisë së koronavirusit në dy vitet e fundit i kanë kushtuar 350 miliardë euro ekonomisë gjermane në rendimentin e saj, konstaton Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW). Kjo shumë në pjesën më të madhe ka të bëjë me rënien e konsumit, llogarit IW në ditën e shpërthimit të pandemisë në Gjermani. Kësaj i shtohen edhe pakësimi i investimeve të ndërmarrjeve. Në tre muajt e parë të vitit 2021 janë krijuar humbje të tjera në vlerën 50 miliardë euro, deklaron instituti. “Ripërtëritja ekonomike do të zgjasë me vite”, parashikojnë studiuesit e ekonomisë.

Në fillim të pandemisë masat kufizuese deri në lockdown shkaktuan probleme në proceset e prodhimit dhe vështirësuan furnizimet brenda dhe jashtë vendit, shpjegojnë ekspertët e këtij instituti. Humbje janë shkaktuar edhe nga kufizimi i mundësive për konsum dhe rezervimi i klientëve. Bizneset jashtë vendit pësuan rënie. Në tremujorin e dytë të vitit 2020 produkti bruto në vend ra me 11 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Arbeiter am Fließband bei Ford in Chonqing, China

Gjatë ecurisë së pandemisë rënia e numrit të infeksioneve përkohësisht i rriste shpresat për një ripërtëritje të qendrueshme ekonomike – por me valët e reja të infeksioneve këto shpresa shuheshin. Në vitin e dytë të koronavirusit, sipas studimit, problemet kryesore u krijuan me rrjetet e furnizimit: mungesa e pjesëve të këmbimit i krijuan vështirësi kryesisht industrisë së prodhimit të automjeteve. Shpenzimet e shtetit në pandemi dhe eksportet të paktën pjesërisht funksionuan gjatë vitit të dytë të pandemisë, i thanë DW-së nga Instituti i Ekonomisë Gjermane. Por parashikohet që edhe gjatë muajve të ardhshëm të ketë humbje.

“Varianti i ri Omikron i koronavirusit megjithatë jep shkas edhe për shpresë”, shpjegon ekonomisti i IW Michael Grömling: “Nëse sivjet ne hyjmë në fazë endemike, sërish mund të ketë hov në ekonomi. “Vitet e ardhshme është i nevojshëm një hop i fuqishëm ekonomik, për të rikuperuar humbjet./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!