U ekzekutua në Ekuador, shqiptari ishte arrestuar në Itali si një nga “kokat” e një organizate kriminale

schedule18:31 - 23 Janar, 2022

schedule 18:31 - 23 Janar, 2022

Shqiptari që u ekzekutua me breshëri plumbash në Guayaquil të shtunën mbrëma ka qenë i arrestuar më parë në Itali si një nga “kokat” e një organizate kriminale. Ergys Dashi me origjinë nga Durrësi u vu në pranga më 18 shtator të vitit 2014 bashkë me 31 persona të tjerë pas goditjes së një organizate kriminale e trafikut të drogës e cila drejtohej nga shqiptarët.

Organizata kriminale në të cilën bënte pjesë Dashi menaxhonte trafikun e drogës. Sasi të mëdha të lëndëve narkotike bliheshin me shumicë në Shqipëri, Spanjë e Bolivi dhe më pas shpërndaheshin në të gjithë Italinë. Organizata kriminale në fjalë fitonte 60,000 dhe 70,000 € në muaj.

Kurse akuzat ndaj të arrestuarit ishin ato të bashkëpunimit si një organizatë kriminale e trafikut të lëndëve narkotike, shfrytëzimit të prostitucionit dhe armëmbajtjes pa leje. Në kohën kur u bë operacioni Ergys Dashi ishte 25 vjeç dhe banonte në Porto S. Elpidio të Italisë.

Vrasja në Guayaquil

Në drejtim të Ergys Dashit u qëllua me breshëri plumbash dhe gjeti vdekjen në vend. Në restorantin ku ai po darkonte në Avenue José Joaquín Orrantia, u futën dy autorët dhe hapën zjarr në drejtim të tij.

Një prej tyre mbante një buqetë me lule në dorë, kurse tjetri qëlloi në drejtim të 34-vjeçarit i cili mori disa plumba në pjesën ballore të kafkës. Fillimisht ata u ndaluan në hyrje të lokalit nga personeli që u kërkoi certifikatë vaksinimi, por këta të fundit u detyruan të tërhiqen pasi panë se burrat ishin të armatosur.

Pasi kryen ekzekutimin, autorët u larguan me motor dhe hapën sërish zjarr në drejtim të restorantit. Veç shqiptarit, si pasojë e të shtënave mbeti e plagosur një 26-vjeçare, Angie Romero e cila ishte e ulur në tryezë ngjitur. Atë e kapi një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes u gjetën 20  fishekë të markës Fame, tip 9×19.  Dyshohet se shkak për vrasjen mund të jetë bërë e shkuara e Dashit në trafikun e drogës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!