Gazetarja turke burgoset për recitimin e fjalës së urtë

schedule06:14 - 23 Janar, 2022

schedule 06:14 - 23 Janar, 2022

Një gjykatë turke ka ndaluar gazetaren e njohur Sedef Kabas për fyerje të dyshuar të presidentit të vendit. Kabas u arrestua të shtunën në Stamboll dhe një gjykatë urdhëroi që ajo të burgosej përpara një gjyqi. Ajo akuzohet se ka vënë në shënjestër presidentin Recep Tayyip Erdogan me një fjalë të urtë të cilën e citoi në televizion drejtpërdrejt në një kanal televiziv të lidhur me opozitën.

Ajo e mohon akuzën raporton “BBC”. Akuza parashikon një dënim me burg nga një deri në katër vjet. “Ka një fjalë të urtë shumë të famshme që thotë se një kokë e kurorëzuar bëhet më e mençur, por ne e shohim se nuk është e vërtetë”, tha ajo në kanalin Tele1. Ajo tha gjithashtu që “një dem nuk bëhet mbret vetëm duke hyrë në pallat, por pallati bëhet një hambar”. Ajo postoi më vonë citimin në Twitter.

Kryezëdhënësi i Erdogan, Fahrettin Altun i përshkroi komentet e saj si “të papërgjegjshme”. “Një e ashtuquajtur gazetare po fyen hapur presidentin tonë në një kanal televiziv që nuk ka qëllim tjetër përveç përhapjes së urrejtjes”, shkroi ai në Twitter. Në deklaratën e saj në gjykatë zonja Kabas mohoi se kishte synim të fyente presidentin.

Redaktori i kanalit Tele1 Merdan Yanardag kritikoi arrestimin e zonjës Kabas. “Ndalimi i saj brenda natës në orën 2 të mëngjesit për shkak të një proverbi është i papranueshëm,” tha ai. Ai tha gjithashtu që “ky qëndrim është një përpjekje për të frikësuar gazetarët, mediat dhe shoqërinë”. / abcnews.al