Eksplozivi në derën e dyqanit, Naim Stafuka për Abcnews.al: Kamerat filmuan autorin e maskuar, si doli nga ‘Benzi’ e vuri tritolin

schedule16:15 - 22 Janar, 2022

schedule 16:15 - 22 Janar, 2022

Shtëpia e Naim Stafukës, vëllait të Enver Stafukës, i cili rezulton i zhdukur që prej 2015-ës, ka qenë në shënjestër të një shpërthimi me tritol mbrëmjen e djeshme. I kontaktuar nga abcnews.al Naim Stafuka tregon detaje mbi ngjarjen duke iu referuar lëvizjeve që kanë kapur kamerat.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë nga vendi i ngjarjes, është filmuar skena e vendosjes së lëndës plasëse. Stafuka thotë për abcnews.al se një person i maskuar me kapuç në kokë, me maskë anti-COVID ka zbritur nga një makinë e bardhë dhe pasi ka vënë eksplozivin në katin e parë të ndërtesës 3-katëshe, ku kishte edhe dyqanet që ka dhënë me qira, është larguar nga vendi i ngjarjes.

Vetëm sa kemi hapur kamerat, asgjë tjetër, autori është njëri me kapuç dhe kapele me makinë të bardhë, zbriti nga makina vuri tritolin aty dhe iku. Është një person i gjatë por nuk kuptohet se kush është. Është me kapele dhe maskë anti-COVID. Nuk jam i sigurt se kush e ka bërë por intervista për vëllanë që më ka humbur edhe mund të ketë ndikuar. Unë borxh s’i kam askujt. Konflikt me njeri s’kam sepse rri gjithë ditën me punët e mia”, tha ai për abcnews.al

Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale, ndërsa si shkaqet ashtu edhe autorët mbeten të panjohur.

Naim Stafuka është vëllai i Enver Stafukës, i cili rezulton i zhdukur që prej vitit 2015, kur u rrëmbye në qendër të Fushë Krujës nga 4 persona. Ngjarja në fjalë ndodhi në Shkurt të atij viti. Enver Stafuka ishte duke pirë kafe në një lokal përballë biznesit të familjes së tij, kur 4 persona të veshur me jelekë policie dhe të armatosur, iu afruan dhe nën kërcënimin e armëve e futën forcërisht në një automjet. Në 2013-n Enver Stafuka ishte arrestuar pasi u dyshua si personi që kishte vjedhur automjetin me të cilin u krye atentati ndaj Kryekomisarit Dritan Lamaj. Megjithatë ai u la më pas i lirë. Prej vitesh fati i tij mbetet mister, ndërsa familjarët kanë akuzuar Durim Bamin si të përfshirë në zhdukjen e Enver Stafukës. /abcnews.al