Krizë te Kukësi pas disfatës së pësuar në Superligë me Teutën. Trajneri Cungu ishte në prag të largimit, por presidenti Gjici duket se i ka dhënë edhe një shans tjetër.
Pritej që humbja të mos kalonte lehtë, dhe kështu ndodhi. Kukësi është gjithnjë një klub me pikëpyetje për trajnerët sa heqë që rezultatet nuk janë të mira, dhe trajneri Armando Cungu thuajse e pagoi me stolin e tij, disfatën në Durrës. Burime në klubin verior, por me bazë të përhershme në Tiranë, bëjnë me dijë për ABC Neës se atmosfera ishte shumë e tensionuar për shkak të humbjes me Teutën, ndërsa edhe presidenti Gjici, edhe trajneri menduan që t’i jepnin fund bashkëpunimit.
Gjici, i mërzitur nga ecuria e dobët e vitit 2019, ndërsa trajneri ndoshta i shqetësuar edhe nga rezultatet, por edhe nga presioni i brendshëm, që kulmoi me kritikat publike të presidentit. Numri 1 i klubit u shpreh pak ditë më parë se Cungu kishte besimin e tij, por duhej të hiqte dorë nga udhëtimet e përditshme drejt Shkodrës. Kriza u duk edhe tek fakti se skuadra, një ditë pas ndeshjes, u stërvit nga zv. trajneri Rrahman Hallaçi, në prani të drejtorit teknik, Ramadan Ndreu.
Vetë Cungu mësohet se pati një takim me Gjicin, në selinë e këtij të fundit, ku u diskutua e ardhmja, ndërsa burimet në klub pohuan për ABC Neës se shanset janë që trajneri të vazhdojë.Besohet se presidenti ka lënë edhe një afat tjetër për kthesën e rezultateve, dhe kërkon jo vetëm ngjitjen në vendin e dytë, por edhe që të vazhdohet me synimin për të fituar titullin.
Cungu e mori skuadrën në verë, pas shkarkimit të ish-trajnerit Peter Pakult, duke zhvilluar një fazë shumë të mirë të sezonit, vetëm tri pikë larg Partizanit kryesues. Paradoksalisht, viti 2019 filloi dhe po vazhdon negativisht, edhe pse u morën përforcime të rëndësishme si sulmuesi Shkurtaj dhe mesfushori Rrocaj./abcnews.al