Një vit pas inaugurimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ish-presidenti Jimmy Carter paralajmëron se SHBA-ja “po lëkundet buzë një humnere”, pasi demokracia “është nën kërcënim”.
Autorja Barbara Walter thotë se vendi “është afër një lufte civile – më shumë seç do të donte të besonte secili prej nesh”.
“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë historie dhe shprese, ripërtëritjeje dhe vendosmërie… Dhe në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka fituar”, ka thënë Biden para një viti.
“Beteja për shpirtin e Amerikës nuk ka përfunduar”, ka thënë ai më 6 janar, në përvjetorin e parë të trazirave në Kongres.
Më 6 janar të vitit 2021, mbështetësit republikanë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kanë hyrë dhunshëm në ndërtesën e Kongresit amerikan, në përpjekje për të penguar konfirmimin e rezultateve të zgjedhjeve, që fitues kanë nxjerrë demokratin Biden.
SHBA-ja është thellësisht e ndarë politikisht, ndërsa lufton edhe me sfida të tjera: nga pandemia e koronavirusit deri tek ato ndërkombëtare.
Në korrik të vitit të kaluar, gjatë fushatës së republikanëve për të ndryshuar legjislacionin zgjedhor në shtetet ku kanë shumicën, Biden ka thënë:
“Po përballemi me testin më të rëndësishëm të demokracisë sonë që nga Lufta Civile (1861-1865)”.
“Këto nuk janë kërcënime boshe”, ka thënë senatorja demokrate, Amy Klobuchar.
“Janë përpjekje reale për t’iu hequr të drejtën e votës amerikanëve të rëndomtë – të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara, njerëzve që nuk mund të qëndrojnë në radhë dhjetë orë për të votuar”, ka thënë ajo.
Shtetet e udhëhequra nga republikanët kanë vendosur kufizime në votimet me postë dhe verifikimin e votuesve që nga zgjedhjet e vitit 2020. Udhëheqësit e tyre pretendojnë se në këto zgjedhje janë bërë mashtrime, edhe pse nuk ka prova konkrete për to. /REL