Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë vendosi që votat në kuadër të zgjedhjeve vendore për Prishtinën dhe Prizrenin të rinumërohen.
Mediat kosovare citojnë burime pranë PZAP, dhe kanë publikuar dokumentacionin që konfirmon këtë vendim. Ky vendim është marrë pas parregullsive që partitë pretendojnë se kanë hasur gjatë balotazhit të së dielës. Në PZAP janë bërë dhjetë ankesa. Lidhja demokratike e Kosovës kishte kërkuar zyrtarisht rinumërimin e votave në kryeqytet, ku kandidati i saj ka një rezultat të ngushtë më Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes. Përveç Prishtinës, në rinumërim do të shkojë edhe komuna e Prizrenit. Kjo pasi edhe në këtë qytet, Partia demokratike e Kosovës pretendon se ka pasur shkelje si dhe mospërputhje të procesverbaleve të rezultateve.
Në garën për kryeqytetin, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes është në epërsi me 237 vota ndaj kundërkandidatit Arban Abrashi (LDK). Sipas rezultateve paraprake, Ahmeti ka fituar 41 mijë e 401 vota (50.14%), kurse Arban Abrashi ka 41 mijë e 164 (49.86%)./abcnews.al