Reagon PD ndaj policisë: S’ka të drejtë të ndryshojë vendin e protestës

schedule18:24 - 14 Shkurt, 2019

schedule 18:24 - 14 Shkurt, 2019

Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate për shtyp e ka konsideruar të paligjshëm njoftimin e Policisë së Shtetit e cila ndalon zhvillimin e protestës në dy rrugë: tek “Lulishtja tek Piramida dhe Rruga “Ismail Qemali”. Sipas njoftimit për shtyp të selisë blu, Policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës.  Në përputhje me Ligjin për Tubimet, Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Shtetit për zhvillimin e tubimit më datë 16 Shkurt në sheshet dhe vendkalimet publike “Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi përpara Kryeministrisë, Lulishtja tek Piramida dhe Rruga Ismail Qemali”. Partia Demokratike deklaron se nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve. Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin e Policisë dhe jo kërkesën për leje- thuhet në njoftimin për shtyp të Partisë Demokratike.

Reagimi i PD

Në përputhje me Ligjin për Tubimet, Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Shtetit për zhvillimin e tubimit më datë 16 Shkurt 2019, ora 11.00, në sheshet dhe vendkalimet publike “Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi përpara Kryeministrisë, Lulishtja tek Piramida dhe Rruga Ismail Qemali”.

Policia e Shtetit, në kundërshtim me ligjin dhe për arsye politike, ka njoftuar ndryshimin e vendit të protestës, duke mos lejuar zhvillimin e saj edhe tek “Lulishtja tek Piramida dhe Rruga “Ismail Qemali”.

Sipas ligjit, Policia nuk ka asnjë autoritet ligjor për të vendosur vendin e zhvillimit të protestës.

Partia Demokratike nuk pret leje nga Policia e Shtetit për zhvillimin e tubimit, sepse ajo është një e drejtë kushtetuese e opozitës dhe qytetarëve. Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin e Policisë dhe jo kërkesën për leje.

Qëndrimi i Partisë Demokratike i është bërë i njohur zyrtarisht Policisë së Shtetit, duke i kujtuar se ka përgjegjësi ligjore për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, në vendet e njoftuara nga Partia Demokratike.

Policia e Shtetit po vepron nën urdhrat politik të Edi Ramës, i cili, i frikësuar nga bashkimi popullor, po ndjen vetminë e tij politike.

Duke garantuar qytetarët për protestën e 16 Shkurtit, Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat për sigurinë e protestuesve dhe ushtrimin prej tyre në mënyrë të ligjshme dhe pa asnjë pengesë./abcnews.al